Arbëri

Opozita braktis seancën e KK-së shkaku i konkluzionit të Haskukës për zyrat e partive

Këshilltarët e partive opozitare në Prizren të enjten kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës në shenjë pakënaqësie me një konkluzion të kryetarit të Komunës, me të cilin, sipas tyre, kërkohet largimi i partive politike nga zyrat që janë pronë komunale.

Duke qenë se opozita përbën shumicën në KK-në e Prizrenit, seanca ka dështuar në mungesë kuorumi. Paraprakisht kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se me këtë konkluzion po zbatohet ligji dhe se nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Mbledhja e KK-së është hapur me nderimet për gjeneralin Esat Krasniqi dhe profesorin Besnik Krasniqi, të cilët kanë ndërruar jetë rishtazi, teksa ka vazhduar me betimin e anëtares së re të Kuvendit të Komunës, Sabina Dana (NDS). Në vijim shefat e grupeve të këshilltarëve nga radhët e partive opozitare kanë kërkuar nga kryetari që ta anulojë konkluzionin e tij lidhur me zyrat e partive politike. Në të kundërtën, kanë theksuar se nuk marrin pjesë në mbledhjen e KK-së.

“Ne si parti politike po besoj që do ta gjejmë mbështetjen e të gjitha partive politike, nuk jemi të pajtimit që ta vazhdojmë seancën po nuk u tërhoq ky konkluzion ose ky vendim nga ana e kryetarit për largimin nga zyrat e partive politike”, ka thënë Simir Krasniqi i PDK-së.

Ndërsa Fatmir Kastrati i AAK-së ka theksuar se nuk e ka të qartë nëse kjo është një përpjekje për ta penguar punën e partive politike. “Por kryetar, ju lus që këtë konkluzion ta tërhiqni në mënyrë që ta vazhdojmë punën ashtu siç duhet”, është shprehur Kastrati.

Qemal Krasniqi i LDK-së ka pohuar se ky subjekt e ka përjetuar rëndë shkresën e kryetarit dhe se nuk pajtohet me këtë praktikë.

“I nderuari kryetar, kërkojmë që ju urgjentisht ta shfuqizoni apo ta largoni këtë konkluzion, në të kundërtën grupi i këshilltarëve të LDK-së do ta lëshojë mbledhjen dhe deri në një vendim rreth kësaj çështjeje ne nuk do të marrim pjesë në takime”, është shprehur Krasniqi.

Edhe Shukri Quni i Nismës Socialdemokrate e ka kërkuar rishqyrtimin e vendimit të kryetarit, në mënyrë që mos të dëmtohen subjektet politike, që, sipas tij, përfaqësojnë qytetarët.

Në këtë linjë janë deklaruar edhe disa kuvendarë, duke shprehur qëndrimin se Ekzekutivi nuk po e zbaton ligjin edhe me disa prona tjera komunale.

Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj, ka thënë se në një takim të mbajtur mes përfaqësuesve të partive politike e kryetarit në zyrën e tij ka pasur dakordim që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje e përbashkët.

“Mendoj që është mirë me reflektu dhe me gjetë atë zgjidhje të përbashkët, mos me pru Kuvendin në situata të palakmueshme që me pasë bllokadë”, ka deklaruar Badallaj.

Mirëpo kuvendari i VV-së, Ilir Gashi, ka përgëzuar Ekzekutivin për këtë vendim. “Partitë politike në mënyrë joligjore i mbajnë zyrat e tyre, të cilat duhet të lirohen dhe të jenë në shërbim të mirës publike”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, para kuvendarëve ka theksuar se nuk mund ta tërheqë konkluzionin, pasi që, sipas tij, ky akt ka të bëjë me zbatimin e ligjit.

Pas dështimit të seancës së KK-së, Haskuka ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka theksuar se KK-ja është bllokuar nga disa kuvendarë që kanë reaguar për shkak se Komuna e Prizrenit po e zbaton Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

“Partitë politike për më shumë se 10 vjet janë duke qëndruar në këto objekte, për të cilët kanë paguar çmime jo të arsyeshme ekonomike, në vlerë prej 1 eurosh në muaj, ndërkaq në disa raste edhe këtë shumë qesharake nuk e kanë paguar fare”, ka thënë Haskuka.

Ai ka pohuar se procedura për largimin e partive politike nga objektet komunale është kërkesë ligjore. Sipas tij, kuvendarët bazohen në një vendim të miratuar në KK, të datës dhjetor 2005, ku pas këtij vendimi, përkatësisht në vitin 2012 është miratuar Ligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili është plotësuar në vitin 2019.

“Me këto ligje kontratat e partive politike për shfrytëzim të pronave komunale nuk kanë qenë valide dhe nuk mund të vazhdohen, por duhet të jepen me procedura të hapura të ankandit publik. Me marrjen e mandatit si kryetar, në vitin 2018 kam kërkuar shfuqizimin e vendimit të KK-së, i cili ka qenë në kundërshtim me ligjin, sepse nëse një vendim komunal është në kundërshtim dhe bie ndesh me dispozitat ligjore, ajo nuk ka vlefshmëri”, ka deklaruar Haskuka, duke shtuar se për këtë janë dhënë vërejtje edhe nga auditori.

“Madje më lejoni të theksoj se për të njëjtën çështje kanë filluar procedurat hetimore ndaj ish-kryetarit të Komunës, ekskluzivisht për dhënie të këtyre objekteve në shfrytëzim nga viti 2013 deri në vitin 2018”.

Haskuka ka shtuar se vjet, në muajin mars, partitë politike kanë marrë njoftimet për lirimin vullnetar të këtyre objekteve, ndërkaq për shkak të situatës pandemike nuk është bërë largimi i tyre.

“Pra, ata me vullnet nuk kanë pranuar që ta zbatojnë ligjin. Për këtë arsye, së fundmi, më 2 prill tek partitë politike është dërguar vendimi për lirimin e këtyre objekteve. Ligji parasheh që nëse nuk bëhet lirimi vullnetar, bëhet “lirimi i dhunshëm”, i cili është vetëm një term juridik sipas ligjit”, ka thënë Haskuka, teksa ka theksuar se dëmi ekonomik i shkaktuar shkon në rreth 2 milionë euro.

“Unë si kryetar jam i hapur për të gjithë e për të gjetur zgjidhje, por bllokimi i KK-së për ta shkelur ligjin nuk është as i arsyeshëm e as juridik”, është shprehur Haskuka, i cili u ka bërë thirrje anëtarëve të KK-së që t’i kryejnë detyrat e tyre në këtë organ komunal.