Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita akuzon Qeverinë për mosrreshtim krah SHBA-së

Partitë opozitare në vend kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosrreshtim krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve tjera perëndimore për çështjen e energjisë.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se Kosova po mungon në ngjarjet që po mbahen në Perëndim për diversifikim të energjisë dhe largim nga ndikimi prej gazit rus.

“Albin ku je ti? Ku është Kosova? Duhet të japësh përgjegjësi dhe llogari se pse ke refuzuar rreshtimin e Kosovës me SHBA-në”, ka shkruar Haradinaj në Facebook të martën.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan ka qenë gabim strategjik i Qeverisë së Kosovës.

“Gazsjellësi i mbështetur nga SHBA-ja do të fuqizonte dhe diversifikonte resurset energjetike të Republikës së Kosovës. Për më tepër, në nivelin strategjik dhe gjeopolitik, ky gazsjellës është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e dominancës së gazit rus në Evropë”, ka thënë ajo.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian e ka nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në për të forcuar bashkëpunimin për energjinë. Komisioneri për Energjinë, Kadri Simson, po qëndron këtë javë në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur punën e përbashkët për tranzicionin e energjisë së pastër dhe si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të reduktuar varësinë e Evropës nga Rusia sa u përket lëndëve djegëse fosile.

Edhe Oda Amerikane kërkon debat për gazin amerikan, kritikon institucionet për mosgatishmëri Arbëri Oda Amerikane kërkon debat për gazin amerikan, kritikon institucionet për mosgatishmëri

Të martën është inauguruar terminali i ri i gazit të lëngshëm natyror në qytetin e Aleksandropolit në Greqi. Në të morën pjesë krerë të shteteve të rajonit, përfshirë ata grekë, bullgarë, serbë e maqedonas. Në inaugurim ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Terminali pritet të ofrojë 5.5 miliardë metra kub gaz natyror kur të kompletohet, për tregjet e këtyre katër shteteve. Infrastruktura lidhet me projektet tjera të interkonjeksionit dhe sipas shteteve do të ndikojë në uljen e varësisë nga gazi natyror rus.