Pietro Spera, Ombudspersoni i Gjykatës Speciale për Kosovën, ka treguar se ai dhe zyra e tij janë të gatshëm të pranojnë ankesa që mund të kenë nga “personat që ndjejnë se të drejtat e tyre po shkelen nga Gjykata Speciale”.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se nuk mund të flasë tash për asnjë ankesë specifike.
Spera ka sqaruar po ashtu se ankesat mund të bëhen në disa mënyra dhe se ai nuk e ka detyrë t’i raportojë askujt. Në bisedë, Spera ka sqaruar edhe punën që do të ketë gjatë gjykimeve, por edhe mënyrën online të ankesave.
Kjo është intervista e plotë e Sperës në KTV:
KTV: Z.Spera mirë se vini në KTV.
Spera: Faleminderit. Unë jam Pietro Spera dhe jam Ombudspersoni i Gjykatës Speciale për Kosovën. Detyra e zyrës sime është të monitoroj dhe të mbroj të drejtat fondamentale të njeriut, të cilët bashkëveprojnë me Gjykatën Speciale dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Pra, secili person që ndjen se të drejtat e saj apo tij janë shkelur nga këto institucione, duhet të bëjë një ankesë në zyrën time dhe unë do ta shqyrtoj ankesën, bazuar në rregulla dhe procedurën, të cilën e kemi ne.
KTV: Gjykata është plotësisht funksionale që nga viti i kaluar dhe pavarësisht kësaj, ne nuk kemi dëgjuar shumë nga Gjykata Speciale dhe ka një përshtypje këtu në Kosovë, sepse ju jeni në Holandë, dhe ka përshtypje sikur atje nuk po ndodh asgjë. A mund të na tregoni pak se çfarë jeni duke punuar dhe çfarë keni bërë që nga maji i këtij viti, kur jeni emëruar në këtë pozitë?
Spera: Po, unë jam emëruar së fundmi vetëm pak para verës dhe Zyra e Ombudspersonit është e pavarur prej trupave tjerë të Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ne kemi përgatitur strukturën e zyrës dhe tani jemi të gatshëm që të pranojmë ankesa.
KTV: Do të flasim për ankesat pas pak por sa njerëz janë të angazhuar për të punuar me ju në zyrën tuaj?
Spera: Tani jemi staf i vogël, jemi 2-3 njerëz sepse jemi në fazën fillestare dhe do të shohim se si do të zhvillohemi në të ardhmen.
KTV: Në Kosovë dhe në përgjithësi njerëzit janë duke pritur për aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. Duke marrë këtë parasysh, a keni pasur ende ndonjë ankesë në zyrën tuaj?
Spera: Zyra e Prokurorit të Specializuar është institucion tjetër dhe i pavarur. Unë nuk kam të bëjë asgjë me planin dhe hetimet e tyre dhe sa i përket ndonjë ankese specifike, ne kemi për obligim që të ruajmë konfidencialitetin dhe sot unë nuk do të flas për ndonjë ankesë specifike. Për ne konfidencialiteti është i rëndësishëm sepse u jep besim njerëzve në punën tonë dhe institucionin që do të respektojë konfidencialitetin e informatës.
KTV: Kjo do të thotë se nuk mund të flisni fare nëse keni pasur ndonjë ankesë tani?
Spera: Nuk mund të flas për ndonjë ankesë specifike.
KTV: Po, por për numrin ose nëse keni pasur ndonjë të tillë?
Spera: Jo, ne jemi në fillim. Kur të kemi raste, ne do të bëjmë një raport zyrtar me statistika dhe numra për ankesat që kemi dhe rezultatin e tyre.
KTV: Kush ka të drejtë të bëjë ankesë në zyrën e Ombudspersonit të Gjykatës Speciale?
Spera: Secili person që ka ndonjë kontakt dhe bashkëvepron me Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ka të drejtë të bëjë ankesë. Çka është e rëndësishme është që ankesa të jetë e lidhur me këto institucione, Gjykatën Speciale ose Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe që i përket shkeljes së të drejtave fondamentale të njeriut. Pra, ky do të jetë ekzaminimi i parë që ne do ta bëjmë kur të pranojmë ndonjë ankesë.
KTV: Dhe, si mund dikush të bëjë ankesë në Zyrën e Ombudspersonit?
Spera: Sistemi lejon që ankesa të bëhet në disa mënyra. Mund të jetë në njërën nga tri gjuhët, shqip, serbisht ose anglisht, mund të bëhet përmes letrës me postë, përmes e-mailit ose gjithashtu përmes uebfaqes. Ne kemi përgatitur një format dhe udhëzues që lejon dhe u ndihmon njerëzve që të bëjnë një ankesë.
KTV: Kur të keni ndonjë ankesë, si do ta trajtoni atë dhe cilat janë procedurat pas kësaj?
Spera: Ne provojmë të krijojmë një procedurë që është efikase por edhe e thjeshtë, që mund të kuptohet lehtë. Pra, kur të pranojmë një ankesë, hapi i parë dhe ekzaminimi që ne do ta bëjmë është ekzistimi i kushteve paraprake që ankesa të mund të shqyrtohet. Kjo do të thotë se ankesa është kundër ndonjërit institucion, Gjykatës Speciale apo Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pastaj duhet të ketë një pretendim për shkeljen e të drejtave fondamentale të njeriut. Gjithashtu, ankesa në Zyrën e Ombudspersonit është burimi i fundit, pra nuk duhet të ekzistojë asnjë mjet tjetër tek ankuesi dhe në fund gjithashtu nuk mund të jetë e pranueshme një ankesë për një procedurë që është në vazhdim e sipër para Gjykatës Speciale dhe që nuk ka përfunduar ende. Kur një gjykatës është i përfshirë, ne nuk kemi juridiksion mbi atë rast, përpos nëse ka ndonjë vonesë të paarsyeshme.
KTV: Pasi t’i keni kryer këto procedura, sa kohë merr që të shqyrtohet rasti dhe të merret një vendim?
Spera: Pasi të kemi vendosur për këto parakushte bazike, ne fillojmë fazën e dytë që është faza kur ne mbledhim informacione nga institucioni që është i përfshirë dhe në fund do të hartojmë një raport që do të përfshijë gjetjet për ankesën.
KTV: Ju përmendet se do të merreni edhe me ankesa për Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Çka ndodh nëse gjeni se njëri nga këto institucione ka bërë ndonjë shkelje?
Spera: Në këtë rast, ne mund të bëjmë rekomandime për ndonjërin institucion. Ombudspersoni nuk ka ndonjë fuqi që të urdhërojë diçka ose të imponojë diçka. Rekomandimi i Ombudspersonit do të publikohet pastaj dhe gjithashtu bazohet në besimin që njerëzit kanë në këtë. Zyra e Ombudspersonit është institucion i pavarur dhe ky nuk është privilegj por është në interes të ankesës. Unë gjithashtu kam miratuar një Kod të Etikës, i cili parasheh standardet profesionale, të cilat ne do t’i ndjekim gjatë punës, që është profesionalizimi, pavarësia, transparenca dhe integriteti. Pra, sa më shumë që njerëzit t’i besojnë institucionit, aq më shumë do të ketë ndikim.
KTV: Pra, do të thotë se do të jetë në vullnetin e Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në rast të ndonjë shkeljeje, që t’i zbatojë këto rekomandime ose jo?
Spera: Kjo është natyra e Zyrës së Ombudspersonit në të gjithë botën. Ombudspersoni nuk mund të imponojë diçka. Këto Zyra bëjnë rekomandime por normalisht në përgjithësi rekomandimet e tilla respektohen.
KTV: Përmendet pak shqyrtimet gjyqësore por a mund të sqaroni se çka ndodh kur këto të fillojnë, roli i zyrës suaj dhe të themi kur këto gjykime të fillojnë, si mund të bëhet ankesë?
Spera: Kur gjykimet të fillojnë, mandati i Ombudspersonit në atë rast përfundon. Këtu do të vihej në rrezik paanshmëria e gjykatësit dhe gjykimit, kështu që ne nuk mund të ndërhyjmë në pavarësinë e gjykatësve. Gjithashtu, Gjykata lejon përdorimin e mjeteve të brendshme, nëse njerëzit nuk janë të kënaqur, sikur është ankesa në Apel. Ankesa në zyrën tonë në këtë rast mund të bëhet vetëm për ndonjë vonesë të paarsyeshme.
KTV: Zyra juaj, sikurse Gjykata Speciale, është themeluar përmes një ligji nga Kuvendi i Kosovës por funksionon në Holandë. Në fund, kujt i raportoni?
Spera: Zyra jonë është e pavarur. Në aspektin logjistik jemi pjesë e Regjistrit por unë jam i pavarur në vendimet e mija. Për këtë ne kemi miratuar Kodin e Etikës, që vendos kushtet e sjelljes sime dhe nëse një person nuk është i kënaqur me mënyrën si punoj unë, atëherë një ankesë mund të bëhet në Regjistër, e cila do të vendoset në mënyrë të pavarur.
KTV: Pra, ju do të raportoni te Regjistri dhe Gjykata Speciale në Holandë?
Spera: Jo, unë jam i pavarur në vendimet e mija, nuk kam nevojë t’i raportoj askujt. Duhet vetëm të respektoj rregullat, ligjin dhe procedurën e ankesës.
KTV: Meqenëse ju do të operoni në Holandë dhe nuk keni ndonjë zyrë në Prishtinë, mendoni se do të jetë e lehtë për njerëzit që të bëjnë ankesë vetëm online?
Spera: Mendoj se sistemi online është mundësia më e mirë e mundshme sepse ka instruksione aty dhe ka një format që mund të dërgohet lehtësisht. Dhe kur ta kemi pranuar atë, ne do ta kontaktojmë personin, në mënyrë konfidenciale dhe do ta udhëzojmë personin si të veprojë.
KTV: Z. Spera faleminderit që ishit me ne sonte.
Spera: Faleminderit!