Arbëri

Oda e Fizioterapeutëve i kërkon Avokatit të Popullit ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin e pagave

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) ka kërkuar nga Avokati i Popullit që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e pagave.

Në një njoftim të kësaj Ode thuhet se kërkesa është dorëzuar tek Avokati i Popullit.

“Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK), në kuadër të përgjegjësive për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave profesionale të fizioterapeutëve, ashtu si promovimin dhe mbrojtjen e veprimtarisë së profesionistëve shëndetësorë në institucionet publike dhe private, ka shqyrtuar dhe përfaqësuar kërkesat e anëtarëve në lidhje me Ligjin për paga që nga faza e hartimit e deri në fazën e miratimit të tij. Fatkeqësisht, vërejtjet dhe komentet e dërguara nga Oda që kishin për qëllim respektimin e të drejtave të profesionistëve dhe profesionit të fizioterapisë, nuk u morën parasysh”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kërkesa tek Avokati i popullit thuhet se është dorëzuar me vendim të Këshillit Drejtues të OFTK-së.

“Ky Ligj është diskriminues, nënçmues për profesionin e fizioterapisë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për shëndetësi dhe Ligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë. Andaj, kërkojmë nga Institucioni i Avokatit të Popullit adresimin e kërkesës sonë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të eliminohet pabarazia dhe diskriminimi i profesionit të fizioterapisë (ulja e pagave të fizioterapeutëve)”, thuhet në njoftim.