Mediumi zviceran, “NZZ am Sonntag” ka raportuar të shtunën se Zvicra është duke ndërmjetësuar në mënyrë sekrete çështjen mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas raportimit, Zvicra po përpiqet të parandalojë që konflikti mes të dy vendeve të përshkallëzohet më tej pas tensioneve të fundit në veri që nisën me dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor.
Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) të Zvicrës ka konfirmuar për “NZZ am Sonntag” se ka pritur përfaqësuesit kosovarë e serbë në Zvicër në mes të nëntorit.
“Një takim i tillë ka ndodhur një javë pasi serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës”, ka konfirmuar zëdhënësja e FDFA, Elisa Raggi, sipas shkrimit. Për arsye konfidencialiteti, FDFA-ja nuk ka treguar se ku saktësisht janë zhvilluar bisedimet.
Siç thuhet në përgjigjen e FDFA-së për “NZZ am Sonntag”, ky takim nuk ishte një rast i izoluar. Që nga viti 2015, Zvicra ka mbështetur Bashkimin Evropian me instrumente e veta për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “Departamenti për Paqe dhe të Drejtat e Njeriu organizoi takime të rregullta në të cilat për përfaqësues të partive më me ndikim nga të dyja vendet morën pjesë”, thuhet në përgjigjen e këtij Departamenti për “NZZ am Sonntag”.
Këto takime larg publikut, sipas FDFA-së, janë të rëndësishme në mënyrë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të shkëmbejnë rregullisht mendime për çështjet politike dhe të krijojnë besim. “Kjo mundëson kontakte të drejtpërdrejta diskrete, për shembull për të parandaluar shpërthimin e dhunës”, ka vijuar përgjigjja e FDFA-së.
Edhe
Deputeti gjerman thotë se serbët në veri po manipulohen nga Kosova dhe Serbia
Franz Grueter, kryetari i Komisionit për Politike të Jashtme të Këshillit Kombëtar në Zvicër dhe pjesë e partisë më të madhe zvicerave (SVP), është i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor. Ai pritet të vijë në Kosovën të hënën dhe do të qëndrojë për dy ditë. Do të takohet me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. “Do ta shoh situatën nga afër dhe më pas do t’ia përcjell përshtypjet e mia ministrit të Jashtëm, Ignazio Cassis”, ka thënë Grueter për “NZZ am Sonntag”.
Grueter do të jetë pjesë e delegacionit që do ta vizitojë ushtarët zviceranë në Kosovë para çdo Krishtlindjeje. Zvicra është përfshirë në misionin paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s në Kosovë (KFOR) që nga viti 1999. Tani ka 195 ushtarë zviceranë në vend.
Grueter ka thënë se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë ka potencialin të përshkallëzohet relativisht shpejt. Ka parë paralele me situatën në Ukrainë një vit më parë.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë pesimizmin e Grueterit. Jean-Hubert Lebet, i cili ishte ambasador i Zvicrës në Kosovë nga viti 2016 deri në vitin 2020, nuk pret luftë. “Si ambasador kam përjetuar disa herë provokime të tilla serbe. Ishte një blof çdo herë dhe nuk e kuptoj pse duhet të ishte ndryshe këtë herë”, ka thënë ai.
Rreziku është shumë i madh për Serbinë nëse nis një luftë. NATO do të kundërpërgjigjet menjëherë dhe Serbia do të humbiste çdo perspektivë të integrimit në BE, shkruan “NZZ am Sonntag”.
Pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, situata në veri ka ngelur e tensionuar. Policia dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u sulmuan në përpjekjet e tyre për t’i organizuar zgjedhjet në katër komunat e veriut. Pas tensioneve të shkaktuara, zgjedhjet janë shtyrë për në prill.
Ka një javë që rrugët në drejtim të pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, Bërnjak e Jarinjë, janë të mbyllura për shkak të barrikadave të vendosura nga serbë lokalë që protestojnë kundër arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, të dyshuar për sulmet ndaj Policisë dhe KQZ-së.
Serbia ka kërcënuar me kthim të ushtrisë në Kosovë, por kjo është mohuar kategorikisht si mundësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe
Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë
KOHA ka provuar në mbrëmjen e së shtunës që të marrë deklaratë nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por ai nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike deri në momentin e publikimit të shkrimit.
Mediumi “NZZ am Sonntag” në fillim të dhjetorit bëri bujë në Kosovë me një raportim me plot manipulime e akuza të pabaza ndaj luftës në Kosovë e edhe ndaj futbollistit shqiptar, Granit Xhaka, për përplasjen e tij me Serbinë në Kupën e Botës në Katar.