Arbëri

NYT: Përkundër ndasive në Veri, gishti për vrasjen e Ivanoviqit nuk u drejtua matanë Ibrit

Gazeta prestigjioze New York Times ka publikuar në artikull në të cilin flet për situatën etnike në Kosovë dhe në flet edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

E përditshmja amerikane artikullin e saj e ka të bazuar në gjendjen aktuale në veriun e Kosovës dhe këtë e ka ndërlidhur me referenca historike të manastirit të Banjskas në Mitrovicë që prej vitit 1313 kur edhe ka filluar ndërtimi i manastirit, transmeton Koha.net.

Marc Santora reporter që ka filluar të së fundmi të raportojë për Europën Lindore dhe Qendrore, shkruan se pas bombardimeve të NATO-s dhe një dekadë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Mitrovica mbetet një tokë e ndarë.

“Shumë njerëz nuk e shohin veten si pjesë të Kosovës ashtu siç është. Ata duan të jenë pjesë e Serbisë, por frikësohen se me afrimin e Serbisë drejt Bashkimit Europian, Beogradi do t’i harrojë nëse vjen ajo ditë”, shkruan Santora, transmeton Koha.net.

“Kjo ishte vizita ime e parë në Kosovë që prej marrjes së postit për të raportuar për Europën Lindore dhe Qendrore. Ishte udhëtim i shpejtë për të ndjekur vizitën e aranzhuar të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili erdhi për të folur me komunitetin pasi u vra një politikan i njohur serb [Oliver Ivanoviq] në Mitrovicë”, shton ai.

“Në një sallë, Vuçiq u përball me banorët e inatosur, të cilët i kërkonin mbrojte, duke kërkuar edhe armë”, thotë gazetari i NYT.

New York Times shkruan se shumë prej veturave në veri nuk kanë targa ose kanë targa serbe, të cilat konsiderohen ilegale nga qeveria në Prishtinë, transmeton Koha.net.

“Fëmijët shkojnë në shkolla të ndara. Burrat punojnë në vende të ndara. Familjet hanë nëpër restorante të ndryshme. Studentët të cilët diplomojnë në universitetin e Mitrovicës nuk u njihen diplomat nga qeveria në Kosovë, e cila drejtohet nga shqiptarët. Shërbimet telefonike janë të ndara, ato serbe nuk lidhen me shërbimin e bazuar në Monako”, shkruan New York Times.

“Përkundër ndasive, është interesante për të shënuar –ndoshta shenjë shpresëdhënëse – se vrajsa e politikanit Oliver Ivanoviq, nuk shpiu menjëherë që gishti të drejtohej matanë lumit ku jeton komuniteti shqiptar”, shkruan gazetari i të përditshmes amerikane.

“Në vend të kësaj, shumë thonë se beteja e Ivanoviqit kundër rrjeteve kriminale brenda serbëve shpiu në vrasjen e tij”, shkruan më tej NYT.

Në këtë artikull e përditshmja njujorkeze ka cituar edhe fjalët e Ivanoviqit: “Dua ta bëj të qartë. Këta njerëz nuk frikësohen prej shqiptarëve, por prej serbëve, kriminelët e fuqishëm lokalë”.