Kosova mbetet të shënojë rezultate më të prekshme në luftën kundër korrupsionit për ta bindur Bashkimin Evropian se ky kriter i përcaktuar për liberalizimin e vizave do të konsiderohet i përmbushur, thonë njohës dhe monitorues të çështjes anti-korrupsion.
Ndonëse luftimi i kësaj dukurie konsiderohet si kriter i vazhdueshëm, Bashkimi Evropian ka kërkuar që institucionet ta dëshmojnë me vepra konkrete se po e luftojnë atë.
Që nga muaji maj i vitit 2016, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.
Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Që nga ajo kohë dy këto kritere mbeten në plotësim e sipër, para se Kosova të marrë miratimin përfundimtar të vendeve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.
Rezultatet e treguara sa i takon luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit nuk janë të kënaqshme.
Drejtori i këtij organi, Shaip Havolli tha për Radion Evropa e Lirë se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter për liberalizimin e vizave, ende nuk mund të konsiderohet i përmbushur.
“Menjëherë pas aprovimit të Demarkacionit, kusht tjetër është luftimi i korrupsionit. Kështu që nuk mund të themi që të gjitha këto kushte i kemi plotësuar për të përftuar liberalizimin e vizave. Edhe bazuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shihet se në Kosova ka një progres të theksuar, por megjithatë ende kusht kryesor është luftimi i korrupsionit nga institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë. Nuk kemi bërë edhe aq sa duhet në luftimin e korrupsionit”, tha Havolli.
Ai thotë se agjencia të cilën e drejton, ka hartuar një strategji kundër korrupsionit e cila i është dorëzuar Qeverisë dhe pret që shumë shpejt, ajo të aprovohet si strategji kombëtare.
Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.