Arbëri

Njohësit: Masat do të përdoren si mjet presioni ndaj Kosovës për dialogun

Bashkimi Evropian

Me gjithë kërkesat që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të lehtësohen pas veprimeve të fundit të Qeverisë në veri, nga Bashkimi Evropian nuk kanë treguar nëse do të merret veprim në këtë drejtim. Përkitazi me mungesën e një veprimi, njohësit e çështjeve politike kanë shprehur qëndrimin se masat do t’i shërbejnë BE-së si një mjet presioni e kushtëzimi për Kosovën në raport me dialogun

Mjet presioni ndaj Kosovës janë kualifikuar nga njohës të çështjeve politike, masat ndëshkuese të vendosura ndaj vendit, për heqjen e të cilave Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë veprime, me gjithë nisjen e zbatimit të hapave nga Qeveria drejt shtensionimit të situatës në veri.

Vazhdimi i mbajtjes në fuqi të masave, sipas analistit politik, Visar Xani, e përbën një mekanizëm kushtëzimi për Kosovën në raport me dialogun me Serbinë.

Ai ka shprehur po ashtu skepticizëm se këto masa, të ndërmarra pas tensioneve të fundmajit në veri, do të hiqen në tërësi.

“Me gjasë Bashkimi Evropian, tash e tutje, këto masa do t’i përdorë si mekanizëm detyrues për Kosovën dhe mjet presioni, me qëllim që të kemi zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, ka thënë Xani. 

E analisti tjetër, Shkumbin Beqiri, thotë se mosveprimi në funksion të heqjes graduale të masave, është një mesazh për institucionet për moskoordinimin e padëgjueshmërinë kundruall BE-së.

“Mosdeklarimi i tyre është sanksion në raport me Kosovën, për arsye se tash jemi në situatë ku Bashkimit Evropian nuk i ngutet të marrë veprime përderisa situata në një masë të caktuar është qetësuar”, ka thënë Beqiri. 

Në Bashkimin Evropian nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse do të ketë veprime në funksion të nisjes së largimit të këtyre masave, me arsyetimin se institucionet e BE-së aktualisht ndodhen në pushim.

Kosova ka përmbushur kërkesën e BE-së për ta zvogëluar praninë e Policisë, në nivelin deri në 50 për qind, në dhe përreth objekteve të komunale në veri. Tërheqja ka nisur pas vlerësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë mes Policisë, KFOR-it e EULEX-it. Ndërkaq, janë nisur ditë më parë edhe procedurat drejt organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan e Leposaviq.

Në BE patën thënë se masat ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe të kthyeshme, varësisht prej zhvillimeve në terren.