Plani për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale në Ballkan ka filluar të konkretizohet.
Hapi i parë është njohja e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO) midis vendeve anëtare të CEFTA-s, i cili do të sjellë më shumë lehtësi në shkëmbimet tregtare mes vendeve, raporton atsh.
Për të diskutuar mbi këtë plan në Tiranë u mbajt një takim ku morën pjesë përfaqësues të adminsitratës doganore të vendeve anëtarë të CEFTA.
Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Belinda Ikonomi vlerësoi organizimin e këtij takimi si vazhdim i bashkëpunimit rajonal, në kuadër të angazhimit të ndërmarrë në samitin e fundit të ‘Procesit të Berlinit’, të mbajtur në Trieste, Itali në korrik të 2017-s, ku kryeministrat e vendeve të Ballkanit shprehën vendosmëri të fortë për të punuar së bashku për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale (REA).
Meqenëse shtylla e parë e planit të veprimit për avancimin e mëtejshëm të integrimit tregtar rajonal, përfshin një numër veprimesh që synojnë përshpejtimin e procedurave ndërkufitare në përputhje me protokollin shtesë të CEFTA-s, Ikonomi informoi, se në Shqipëri ky dokument ka kaluar tashmë në te gjitha komisionet parlamentare dhe pritet të miratohet nga Parlamenti.
“Objektiva parësore për administratën tonë në kuadër të këtij protokolli janë thjeshtimi i inspektimeve, reduktimi i formaliteteve të eksportit, shkëmbimi elektronik i të dhënave, njohja reciproke e testeve laboratorike dhe AEO-ve, zbatimi efektiv i kontrollit të riskut dhe bashkëpunimi me agjencitë e tjera që veprojnë në kufi”, tha Ikonomi.
Edhe
Habeck: Po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për Kosovën
Administrata Doganore Shqiptare ka krijuar një strukturë të posaçme për AEO-të dhe lehtësirat doganore. Në këtë kuadër ka nisur një fushatë sensibilizimi për nxitjen e biznesit për të aplikuar dhe përfituar nga lehtësirat doganore.
“Prioritet i qeverisë shqiptare është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, të cilin e konsideron motor të zhvillimit ekonomik të vendit. Kështu, njohja reciproke e AEO-ve midis vendeve anëtare të CEFTA-s padyshim që sjell një lehtësi të madhe për operatorët që do të përfitojnë këtë status në të gjithë rajonin”, tha ndër të tjera Ikonomi.
Kosova fillimisht ka kundërshtuar këtë nismë, duke e parë si rrezik rikrijimin e një Jugosllavie tjetër, rikujton Koha.net.