Arbëri

Nis seanca e jashtëzakonshme kundër idesë së Thaçit për shkëmbim territoresh

Me gati një orë vonesë, Kuvendi i Kosovës ka filluar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh në dialogun e Kosovës me Serbinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Thaçi me idenë e tij për shkëmbim territoresh ka arritur që të krijojë pakënaqësi të madhe qytetare si asnjëherë më parë.

“Ka kohë që Thaçi angazhohet që kufiri të përfshihet në dialog dhe më 25-26 gusht ka folur për këtë propozim edhe në një takim në Bruksel. Është krijuar pasiguri e madhe qytetare si asnjëherë më parë, pakënaqësia qytetare ka arritur nivel rekord. Janë stopuar njohjet e shtetësisë së Kosovë. Këto veprime të presidentit janë antikushtetuese. Në demokraci parlamentare shefi i shtetit nuk ka kompetenca të tilla”, ka thënë veç të tjerash Hoti.

Fjalimi i plotë i Hotit në Kuvend:

Ka një kohë që Presidenti Thaçi angazhohet që shkëmbimi i territoreve apo korrigjimi i kufijve të përfshihet në dialogun me Serbinë.

Ai e ka paraqitur këtë propozim në një seri të konferencave për medie në Prishtinë. Ndërkaq, më 25 dhe 26 gusht 2018 në Vjenë, ka folur për këtë propozim në prani të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të Austrisë dhe të Serbisë.

Ky angazhim i Presidentit Thaçi është kundër kushtetues dhe, rrjedhimisht, kundër shtetësisë të Kosovës.

Dëmet tanimë janë bërë nga këto veprime të Presidentit:

E para, është krijuar pasiguri qytetare, ekonomike dhe sociale, si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve e ka arritur nivelin rekord prej mbi 80% të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë.

E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë së Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Të nderuar deputetë,

Është e qartë se këto veprime të Presidentit janë antikushtetuese.

Asnjëra nga kompetencat e Presidentit, të parapara në nenet 4, 83 dhe 84 të Kushtetutës, nuk ka natyrë të pavarur.

Në demokracitë parlamentare, shefi i shtetit nuk ka kompetenca që janë ekskluzive të sovranit dhe të përfaqësuesit të tij, që janë deputetët.

Territori i takon shtetit, e jo Presidentit, apo ndonjërit prej pushteteve.

Esenca e rendit kushtetues të Kosovës qëndron në këto shtylla:

E para, çështjet e sovranitetit territorial i takojnë ekskluzivisht përfaqësuesit të sovranit, pra këtij Kuvendi.

E dyta, përveç përfaqësuesve të sovranit, asnjë institucion nuk ka mandat të negociojë apo të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës;

E treta, të gjitha çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës kërkojnë votat PRO të 2/3 të të gjithë deputetëve;

E katërta, për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës mund të vendoset përmes referendumit, ku sovrani e ushtron pushtetin drejtpërdrejt.

Por, në një republikë parlamentare si Kosova, referendumin nuk mund ta thërret Presidenti, por vetëm përfaqësuesi i sovranit, dhe atë vetëm për çështjet që janë brenda kompetencave të tij, si përfaqësues i sovranit.

Të nderuar deputetë,

Diskursi i Thaçit për gjoja mbështetje ndërkombëtare të këtij procesi është mashtrim për tri arsye.

Shkëmbimi i territoreve nuk është rezultat i ndryshimit të politikës të partnerëve tanë. Kjo është ide e Beogradit dhe e Moskës, për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës anëtarësim në OKB. Pse Kina do të ndërronte qëndrim lidhur me këtë çështje?

Shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian, sepse qëndrimi i Spanjës karshi pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon me shkëmbim territoresh.

Të nderuar deputetë,

Sjellja e Presidentit në Alpbach të Austrisë ka qenë skandaloze, kur ai flet në shumës, edhe në emër të Presidentit serb.

Po e citoj si ka thënë, pak a shumë:“Na lini ju lutem vetëm, mua dhe Vuçiqin, që në mirëbesim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona. Ne nuk jemi djem problematik. Ne dëshirojmë të arrijmë marrëveshje”.

Me këtë qasje, Thaçi përjashton BE-në dhe SHBA-të nga dialogu.

Thaçi po bisedon për Kosovën sikur për një krijesë politike në formim.

Ai ka deklaruar se deputetët shkojnë e vijnë, por ai do të vazhdojnë projektin e tij.

Kështu kanë deklaruar vetëm monarkët e shekullit XVII.

Të nderuar deputetë,

1) Ne jemi për dialog me Serbinë.

Por, për një dialog ndërmjet dy shteteve, që ka për qëllim:

mirëqenien e qytetarëve,

paqen në rajon, dhe

përshpejtimin e integrimit në BE.

Ideja e korrigjim të kufijve i vendos këto synime në pritje, i bënë këto synime konfuze.

Korrigjimi i kufijve është korrigjim i Deklaratës së Pavarësisë.

2) Kundërshtimi ynë për korrigjimin e kufijve është legjitim dhe kushtetues.

Ky kundërshtim është në funksion të mbrojtjes së integritetin territorial të Kosovës.

Ky kundërshtim e mbron Kosovën nga Presidenti, por edhe Presidentin nga vetja e tij.

3) Propozim i Presidentit që të dialogohet me Serbinë pa ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, si koordinatorë dhe garantues të këtij procesi, nuk siguron asgjë.

Pas dy dekadave përpjekjesh për paqe dhe stabilitet, bazuar në garancat nga BE dhe SHBA, kjo qasje është gjeo-politikisht e dëmshme për Kosovën dhe rajonin dhe na kthen prapa.

4) Në kohën kur do të duhej të ishim të bashkuar, me gjithë dallimet që kemi, propozimi për korrigjim të kufijve na ka dobësuar në raport me Serbinë. Thaçi është afruar me Vuçiqin, por na ka larguar neve nga njëri tjetri.

5) Duke refuzuar propozimin për korrigjim të kufijve, ne i mbrojmë serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera.

Me këtë refuzim, ne mbrojmë edhe shtyllat e shtetësisë tonë, që bazohen në parimet liberal-demokratike.

Me këtë refuzim ne mbrojmë dhe gjeo-politikat euro-atlantike në rajon, dhe kjo është jetike për qenësinë e shtetit tonë.

Të nderuar deputetë,

Jam i sigurt se të gjithë pajtohemi se dialogimi për kufijtë:

Do të thotë dorëzim para politikave mohuese të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

I rrezikon arritjet që i kemi bërë me mbështetje të aleatëve në dy dekadat e fundit.

Dialogimi për kufijtë i vë në dyshim themelet e shtetit të Kosovës.

Rishikimi kufijve nënkupton ri-bërjen e shtetit të Kosovës nga fillimi.

Prandaj, para se të nisim çdo gjë nga fillimi, më mirë është t’i japim fund njëherë e mirë këtij propozimi antikushtetues të Presidentit, sot këtu në Kuvendin e Kosovës.

Andaj, të nderuar deputetë,

Pas debatit, Kuvendi duhet të miratojë rezolutën me vetëm një pikë:

“Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe as Presidenti i Kosovës, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”.

Me votën tonë për këtë rezolutë ne:

Krijojmë siguri për qytetarët e vendit,

Dërgojmë mesazh miqësor tek partnerët tanë se:

populli i Kosovës nuk ka vullnet të hapë këtë temë, si dhe

një kërkim falje për këtë episod jo serioz të Presidentit,

Dërgojmë mesazh tek shqiptarëve në Luginën e Preshevës se do të kërkojmë të drejtat e tyre, duke aplikuar parimin e reciprocitetit,

Dërgojmë mesazh tek Serbia se pajtimi nuk bëhet me platforma të tilla për copëtim të Kosovës.

Me këtë rezolutë ne vendosim një vijë të kuqe, më të rëndësishmen, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Rezoluta nuk ka për qëllim ndalimin e dialogun.

Dialogu duhet të vazhdojë, pas zgjedhjeve të reja, nga institucione legjitime, që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës, dhe dialog që bazohet në parime të qarta dhe vija të kuqe.

Dhe, mbi të gjitha, një dialog që është gjithëpërfshirës.