Ka nisur gjykimi ndaj Dragisha Milenkoviq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë. Milenkoviq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, si gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, bashkë me zyrtarë të tjerë të burgjeve, ka maltretuar të burgosur shqiptarë.
Prokurori special Atdhe Dema tha se Milenkoviq bashkë më zyrtarë të tjerë kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore me shkopa gome, shufra gome, rrymë elektrike, grushte dhe shkelma duke u shkaktuar edhe alivanosje të burgosurve shqiptarë.
Dema duke e lexuar aktakuzën Dema tha se viktimat e keqtrajtimit kishin pasur dhimbje në tërë trupin dhe janë alivanosur gjatë torturave që u kishin bërë i akuzuari Milenkoviq, si dhe persona të tjerë përfshirë Lubomir Çimburoviq - drejtor i burgut të Prishtinës e zyrtarët korrektues Predrag Bradiq e Milivoje Iviq.
Më parë Prokuroria kishte njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M., "ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”.
Ndaj tij janë iniciuar veprat penale “krim lufte kundër popullatës civile” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në gjykimin e nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetar i trupit gjykues është Kujtim Krasniqi, aktakuzën e përfaqëson Atdhe Dema, ndërsa të akuzuarin e mbron avokati Dejan Vasiq.