Me qëllim të parandalimit të rasteve të sulmeve seksuale, ngacmimeve seksuale dhe veprave tjera penale kundër integritetit seksual, Drejtoria Rajonale e Mitrovicës ka iniciuar projektin me emrin “Mjaft më”.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës qëllimi kryesor i realizmit të këtij projekti është që përmes ligjëratave në institucionet shkollore të arsimit të mesëm si dhe aktiviteteve të ndryshme që parashihen me këtë projekt, të ndikohet në vetëdijesimin e të rinjve për parandalimin e këtyre rasteve e poashtu edhe për mënyrat e raportimit të menjëhershëm të tyre tek institucionet përgjegjëse.
Sipas policisë faza e parë e realizimit të këtij projekti ka nisur tre ditë më parë.
Hetues policorë dhe trajnues të policisë nga fusha përkatëse si dhe prokurorë për të mitur kanë ligjiruar nëpër shkollat e mesme e ditëve në vijim do të vazhdohet me ligjërata edhe me gjyqtar për të mitur dhe pedagog të shkollave të mesme të angazhuar nga ana e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Mitrovicë.
Në këtë projekt sipas njoftimit të policisë janë të përfshira Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Po ashtu në projekt janë të përfshirë edhe shoqëria civile/OJQ-të si dhe komuniteti fetar në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Mitrovicë.
Gjatë këtyre aktiviteteve, pjesëmarrësit do të njoftohen që për raportimin e menjëhershëm të këtyre rasteve mund të shfrytëzojnë aplikacionin ,,Lajmëro Policinë” të lansuar kohë më parë nga Policia e Kosovës si dhe aplikacionin ,, Ec shlirë” i cili aplikacion është lansuar nga Agjencia për Barazi Gjinore për raportimin e ngacmimeve seksuale.
Vetëm gjatë këtij viti në Kosovë u raportuan 21 raste të ngacmimit seksual. Ndërsa dy ditë më parë sipas Policisë së Kosovës një vajzë e mitur u dhunua nga dy persona në Mitrovicë.
Dy ditë më parë gjithashtu në Pejë u vra babai i një vajze nga mësimdhënësi i saj, i cili ishte dënuar për ngacmim të saj.