Arbëri

Ngrihet shqetësim për praninë e lartë të nitrateve në fruta

Është ngritur dyshimi se në dy fruta që konsumohen gjatë verës, është evidentuar prani e lartë e nitrateve dhe nitriteve, që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut. Një inxhinier i teknologjisë ushqimore theksoi se pas matjeve të kryera, ka hasur në përqendrim të lartë të tyre në shalqi e pjepër. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thanë se pas testeve të bëra, gjatë këtij viti nuk është hasur në produkte që nuk i përmbushin kriteret e sigurisë. E në IKSHP treguan për rrezikun që kanoset nga konsumimi i produkteve me përmbajtje të lartë të këtyre substancave kimike

Shalqiri dhe pjepri janë dy ndër frutat më të konsumuara gjatë sezonit të verës. Por, rezultati i disa matjeve për praninë e substancave kimike në to, bëri që Flakron Ahmeti, shef i kuzhinës në një nga hotelet në kryeqytet, t’i largojë ato përkohësisht nga përdorimi.

Ahmeti, që është edhe inxhinier i teknologjisë ushqimore, thotë se gjatë matjeve vërejti nivel të lartë të nitrateve e nitriteve, dhe e ngriti shqetësimin për sigurinë e këtyre produkteve.

“Ne kemi vazhduar t’i testojmë vazhdimisht nivelin e nitriteve dhe nitrateve, pasi që kam dyshuar gjithmonë në këto produkte, si pjepri dhe bostani në këtë rast. Edhe ka dalë një nivel shumë i lartë i nitriteve dhe nitrateve, me ç’rast unë kam vendosë me i largu nga shërbimi deri në momentin që e shoh që ka përmirësim në cilësinë e tyre”, ka thënë ai.

Ahmeti thotë se përqendrimi i tepërt i këtyre dy substancave në produkte ushqimore mund të shkaktojë disa lloje sëmundjes te njeriu.

“Gjithmonë sasia më e lartë sesa që duhet e nitriteve dhe nitrateve shkakton rrezik në shëndetin e njeriut. Për shembull, te një person deri në 65 kilogramë, norma e lejuar është 230 miligramë. Në rastin në fjalë që e kemi bërë testimin e bostanit, norma e lejuar është 60, por rezultati ka qenë 890, që është një shumë jashtëzakonisht e madhe. Edhe sasia më e tepërt e nitrateve në organizëm mund të shndërrohet në qeliza të dëmshme, dhe mund të shkaktohen pastaj sëmundje të zemrës, presion i gjakut e edhe sëmundja e kancerit”, ka thënë Ahmeti.

Por në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë theksuar se pas kontrollimit dhe testimit të mostrave të këtyre dy frutave, si të importuara ashtu edhe të kultivuara në Kosovë, nuk është hasur në elemente të rrezikshme.

“Këtë vit me kërkesë të drejtorit ekzekutiv janë marrë një numër i madh i mostrave, sidomos për shalqirin dhe janë matë nitratet dhe nitritet në shalqin dhe të gjitha kanë rezoltuar që janë brenda konditave apo janë sipas masës së lejuar, edhe pse nuk ka ndonjë kufizim, nuk është parë apo nuk është vlerësuar nga ana e laboratorit apo inspektorëve që ka ndonjë sasi të palejuar. Gjithmonë është vlerësuar që u përgjigjet kushteve për konsum dhe si i tillë gjithmonë janë lejuar për tregtim dhe konsum të brendshëm”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-it.

E në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë thënë se përdorimi i tepërt i plehut azotik gjatë kultivimit të pemëve dhe perimeve çon në grumbullimin e substancave kimike që mund të ushtrojnë veprim toksik te konsumuesit.

“Pikërisht jonet NO2 – kanë toksicitet shumë të lartë për organizmat e gjalla. Nitritet që rrjedhin nga nitratet e marra nëpërmjet perimeve, sidomos kur këto konsumohen si masë e freskët, lidhen me hemoglobinën e gjakut duke e kthyer atë në methemoglobinë. Në këtë formë, hemoglobina nuk është më e aftë të kryejë funksionin lidhës e transportues të oksigjenit në indet e organizmit duke shkaktuar vështirësi në aparatin e frymëmarrjes deri në asfiksi të plotë”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti.

Bazuar në të dhënat nga AUV-i, nga 68 mostra të produkteve të importuara në periudhën janar-gusht, 36 ishin me nitrate, porse jo në nivelin që i tejkalon kriteret e sigurisë për ushqim.