Në Zyrën e Avokatit të Popullit në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës janë deponuar dhjetëra ankesa. Por, sipas njohësve të punës së Speciales, ndikimi i kësaj zyre është i vogël. Ata numërojnë një varg kritikash në lidhje me trajtimin që është duke iu bërë të akuzuarve në Hagë. Avokati Artan Qerkini e kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala, kanë përmendur disa nga rastet, të cilat, sipas tyre, janë në mospërputhje me rregullat e trajtimit e të gjykimit të drejtë të të pandehurve
Gjykata Speciale po kritikohet për shkelje të shumta në aspektin e të drejtave të njeriut dhe të gjykimit të drejtë të të akuzuarve.
Çështja e paraburgimit, ajo e gjykimit, e drejta e gjuhës, mbarëvajtja e seancave e redaktimet, janë vetëm disa nga shkeljet që janë identifikuar nga Artan Qerkini, avokat i akredituar nga Specialja.
“E drejta e përdorimit të gjuhës dhe e drejta për t’u njoftuar në gjuhën që e kupton i pandehuri me provat dhe veprimet procedurale është një e drejtë e cila hyn në kuadër të procesit të rregullt ligjor. Mendoj se ajo është duke u cenuar, e sidomos me mosdorëzimin e vendimeve e të veprimeve procedurale në gjuhën shqipe kjo e drejtë është duke u shkelur”, ka thënë Qerkini.
Teksa flet për redaktimet e seancat private, avokati Qerkini merr si shembull ato të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa. Sipas tij, para publikut është krijuar një mjegull e madhe.
“E kemi vërejtur, se për shembull në rastin e Sali Mustafës ka pasur shumë seancë private dhe për rrjedhojë publiku nuk ka pasur mundësi që të krijojë një bindje të vet në lidhje me faktin se a janë vërtetuar apo jo akuzat, sepse pjesa qendrore e seancave ka qenë private. Shto kësaj edhe redaktimet e shumta të dokumenteve, atëherë seriozisht po cenohet e drejta për mbrojtje efikase e të pandehurit në procedurë penale”, ka thënë ai.
Duke arsyetuar kritikën e tij ndaj çështjes së paraburgimit të të pandehurve, avokati i licencuar nga Specialja thotë se paraburgimi është i stërzgjatur dhe si rrjedhojë në kundërshtim me praktikën e Gjykatës së Strasburgut.
“Pra, gjithmonë kur Prokuroria avancon me hetime, i pandehuri qëndron një kohë të gjatë në paraburgim dhe atëherë rreziku i ndikimit në prova dhe i arratisjes është më i vogël, e në përputhje me këtë rrezik të zvogëluar duhet të ndryshohet edhe masa e sigurisë. Pra, të kalohet nga masa e paraburgimit së paku në arrest shtëpiak apo në ndonjë masë më të butë, dhe kjo nuk ka ndodhur”, shtoi ai.
Zgjerimi i aktakuzave nënkupton zgjatje e procesit gjykues
Në fillim të muajit maj, Gjykata Speciale bëri të ditur se aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Haçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, është zgjeruar.
Në të prokurori i rastit, Jack Smith, ka përfshirë disa pretendime për krime në qytetet Suharekë dhe Gjilan. Sikur në aktakuzën fillestare, edhe në zgjerimin e saj, ish-pjesëtarët e UÇK-së akuzohen për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999.
Në zgjerimin e aktakuzës janë përfshirë edhe vrasjet, që pretendohet të jenë kryer në Budakovë e Semetishtë, fshatra të Suharekës.
Në aktakuzë thuhet se në Konviktin e Gjilanit janë kryer krime të ngjashme, për të cilat Prokuroria i bën përgjegjës Thaçin dhe të tjerët.
Sipas avokatit Artan Qerkini, zgjerimi i aktakuzës nënkupton zgjatje e procesit e si rrjedhojë gjykimi i të akuzuarve nuk do të kryhet brenda një afati të arsyeshëm.
“Çdo aktakuzë e zgjeruar ndikon në shpejtësinë e procedurës, sepse në lidhje me ato akuza mbrojtja duhet të parashtrojë mocionet që e kundërshtojnë juridiksionin, formën e aktakuzës apo kërkojnë veçimin e procedurës dhe të gjitha këto janë ato shqetësime, të cilat duhet të theksohen në lidhje me zbatimin e parimit të gjykimit të drejtë nga ana e Dhomave të Specializuara në rastet të cilat janë në procedim e sipër”, u shpreh Qerkini.
Sipas tij, shkeljet që janë theksuar edhe nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve kanë hasur në vesh të shurdhër, derisa me to është dashur të merreshin të gjitha instancat gjyqësore të Speciales. Derisa flet për Zyrën e Avokatit të Popullit, që funksionin në kuadër të Dhomave të Specializuara, Qerkini tha se autorizimet që ka janë të kufizuara.
“Avokati i Popullit në bazë të Rregullores së Punës së Avokatit të Popullit nuk mund të ketë ndërhyrje në çështjet, të cilat janë në gjykim e sipër, sepse me to presupozohet se duhet të merren instancat gjyqësore, pra gjyqtari i procedurës paraprake, Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit dhe në fund Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara. Kështu që marrë parasysh këtë, mendoj që roli i Avokatit të Popullit që të ndërhyjë në mënyrë substanciale, ku ai vlerëson se ka shkelje të të drejtave të njeriut, është shumë i kufizuar në bazë të rregullativës ekzistuese”, tha ai.
Shqetësimet e familjarëve të të akuzuarve
Njësoj edhe Behxhet Shala thotë se të akuzuarve nga Specialja janë duke iu shkelur një varg të drejtash. Sipas Shalës, që është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), në mungesë të ndikimit që Kosova ka mbi Gjykatën në Hagë, të akuzuarit kanë mbetur të pambrojtur nga aspekti i shkeljeve që janë duke iu bërë.
“Kosova nuk e ka asnjë ndikim dhe nuk gëzon asnjë autoritet, madje as monitorues mbi Gjykatën Speciale, dhe në këtë mënyrë nga aspekti i të drejtave të njeriut, ata (të akuzuarit v.j.) kanë mbetur të pambuluar. Natyrisht që ,sipas tyre (zyrtarëve të Speciales v.j.), përdoren standardet më të larta të të drejtave të njeriut, që janë Rregullorja e Qendrës së Paraburgimit, Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe tash i kanë futur si standard edhe Rregullat e Nelson Mandeles, që është standardi më i larti i Kombeve të Bashkuara për të privuarit nga liria. Mirëpo është diçka tjetër çka shkruan në letër e diçka tjetër çka është gjendja reale”, thotë ai.
Kryetari i KMDLNj-së përmend disa nga shqetësimet, që thotë se kanë marrë nga familjarët e personave që janë duke u gjykuar nga Specialja.
“Ata që kanë probleme me shëndet nuk e marrin trajtimin e duhur mjekësor, kanë probleme me ushqim, sepse ushqimi atje nuk përshtatet me kërkesat e tyre. Pastaj çdo gjë që blejnë është shumë e kushtueshme dhe e papërballueshme për një pjesë të tyre. Kanë problem për viza, për faktin që deri tash Holanda i ka pajisur me viza, por tash Holanda ka paralajmëruar se pas korrikut nuk do të ketë lehtësira për furnizim me viza për familjarët”, shtoi ai.
Sipas tij, për të qenë të informuar me shqetësimet e tyre, do të duhej të kishte monitorim edhe nga Kosova.
“Mungon një monitorim efektiv dhe kjo është e palejueshme që shtetasit e Kosovës të cilët mbahen të paraburgosur për dy vjet atje të mos të kenë një monitorim efektiv”, u shpreh Shala.
Ankesat në Zyrën e Avokatit të Popullit
Pretendimet e ngritura nuk i kanë komentuar zyrtarët përgjegjës të Dhomave të Specializuara të Kosovës, por në një përgjigje për televizionin kanë konfirmuar ankesat.
Sipas tyre, që nga themelimi i saj, në Zyrën e Avokatit të Popullit janë pranuar 19 ankesa, derisa vetëm vitin e kaluar 5.
“Që nga themelimi i saj, Zyra e Ombudspersonit ka pranuar 19 ankesa, 18 prej të cilave janë të përfunduara. 15 nga këto ankesa u hodhën poshtë si të papranueshme, për shkak se nuk ishte argumentuar apo demonstruar nga ankuesi në asnjë nga rastet. Gjatë vitit të kaluar (2021), tek Avokati i Popullit janë paraqitur pesë ankesa. Nga këto ankesa, katër kanë përfunduar dhe një është ende në shqyrtim”, thuhet në përgjigje.
Sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, përveç në rastet e vonesave të paarsyeshme, Avokati nuk ka juridiksion të ndërhyjë në rastet apo në procedurat e tjera ligjore.
“Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara mund të hyjë dhe të inspektojë në çdo kohë dhe pa paralajmërim ambientet e paraburgimit për të vlerësuar kushtet e paraburgimit. Ombudspersoni është angazhuar me Njësinë e Regjistrimit dhe Menaxhimit të Paraburgimit në lidhje me COVID-19 dhe ndikimin e tij në objektet e paraburgimit”, thuhet në përgjigje.
Në Hagë, me akuzat për krime lufte aktualisht janë duke u gjykuar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Rexhep Selimi e Pjetër Shala.
Mbi ish-presidentin Thaçi, si dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, rëndon akuza në të cilën, mes të tjerash, thuhet se “ midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para.
Gjatë javës, për pengim të drejtësisë e frikësim të dëshmitarëve, me nga 4 vjet e gjysmë burgim janë dënuar, krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.