Ngërçi politik ku është futur Shqipëria që pas nisjes së protestës së PD në 18 Shkurt dhe bllokimi i Reformës në Drejtësi ka bërë që 9 kongresmenë amerikanë të zbarkojnë në Tiranë për të negociuar me palët.
Delegacioni me 9 kongresmenët kryesohet nga Bob Goodlate, i cili është kryetar i Komisionit të Drejtësisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVizita e amerikanëve në Shqipëri nisi sot me një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë në vilën qeveritare në Bllok.
Takimi me kreun e shtetit, Bujar Nishani, ka zgjatur rreth një orë dhe në qendër të tij ka qenë zhbllokimi i ngërçit politik për të nisur zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Sipas njoftimit të Presidencës, Nishani dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme si: situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e reformës në drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takim u vlerësua edhe roli institucional e përkushtimi i Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes palëve politike në vend.
Pas takimin me Nishanin ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu, delegacioni nga kongresi amerikan ka takuar kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht President i zgjedhur.
Edhe me Metën është diskutuar për drejtësinë dhe zgjidhjen e ngërçit që do të bënte të mundur pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit.
Në axhendën e delegacionit amerikan është parashikuar një takim edhe me kreun e PD, Lulzim Basha, në përpjekje për ta bindur që të futet në zgjedhje.
Ndërkohë theksojmë se kjo do të jetë një javë intensive, pasi të hënën që vjen në Tiranë do të vijë edhe zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee.
Mbetet për t’u parë nëse Hoyt Brian Yee do të vijë me një marrëveshje në Tiranë, për t’ua paraqitur palëve apo do t’u kërkojë të pranojnë draftin e evropianëve, i cili u refuzua nga Lulzim Basha dy javë më parë.