375 kilometra larg Prishtinës, nga Vlora, kryeministri sërish iu kundërpërgjigj presidentit Hashim Thaçi, raporton KTV.
Ai tha se kufijtë nuk lëvizin me fjalë dhe kjo temë për të është e papranueshme. Kryeministri gjatë ditës qëndroi për vizitë zyrtare në qytetin shqiptar të pavarësisë.
Lufta me deklarata ndërmjet dy krerëve të lartë të shtetit Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt ka vazhduar edhe këtë të mërkurë.
Nga Vlora, kryeministri Haradinaj ka përsëritur se kufijtë nuk lëvizin me fjalë.
Numri një i qeverisë ka thënë se realiteti i sotëm është rezultat i luftërave, prandaj tema e kufijve është e papranueshme për të.
I pyetur nëse referendumin për një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë e sheh si zgjidhje, ai u shpreh se kufijtë nuk duhet të preken.
Këto deklarime, kryeministri i bëri gjatë një vizite zyrtare në Vlorë.
Kryebashkiaku i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, e ka quajtur vizitë historike këtë të kryeministrit Haradinaj.
Kryeministri ka vizituar monumentin e pavarësisë, ka vendosur kurora lulesh pranë varrit të Ismail Qemalit, dhe po ashtu ka vizituar Muzeun Historik dhe Muzeun e Pavarësisë.