Deklarata përkrahëse që ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ia bëri iniciativës së “Ballkanit të Hapur” është përpjekje e këtij shteti për të minuar iniciativën, ka vlerësuar analisti nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri.
Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është ngritur mbi themelet e Bashkimit Evropian dhe Rusia s’mund t’i absorbojë ato dhe deklarata përkrahëse ka qenë me qëllimin që të nxisë dilema në të gjitha vendet e rajonit për iniciativën.
“Rusia është e frikësuar nga shkëputja e marrëdhënieve të ngushta me Serbinë. E sheh se Serbia po largohet nga orbita e saj. E sheh ‘Ballkanin e Hapur’ si derë të daljes të Serbisë nga kjo orbitë ruse. Dëshiron t’i vërë vulë si iniciativë që ka mbështetjen e Rusisë. Por s’mund ta ketë sepse dy nga tre nismëtaret janë shtete anëtare të NATO-s. Shtetet e NATO-s kanë qasje te të gjitha informacionet e klasifikuara në kuadër të aleancës. Nëse do të mbështetej që nga fillimi prej Rusisë s’do të ishte e mundur që anëtarët të bëheshin pjesë e saj. Në rajon e dimë që Rusia s’ka luajtur rol unifikues dhe në drejtim të paqes e sigurisë. Në Mal të Zi më 2016 dëshironte të pamundësonte rotacionin e pushtetit dhe planifikoi puç që dështoi. Njëjtë më 2017 në Maqedoni e dihet se çfarë aktivitetesh kanë në veri të Kosovës, por edhe në Bosnje e Hercegovinë. S’është ndikim që prodhon paqe e siguri. Është tentim për sabotim e jo e vërtetë”, ka thënë ai.
Sipas tij, përkrahja nga Rusia do të mund të krijonte njollosje të iniciativës duke rritur dilemat në vendet e rajonit për pjesëmarrje apo edhe për ato që janë brenda nëse duan të rrinë në diçka që përkrahet prej Rusisë. “Përpjekje që ta minojë nga brenda që të mos ketë sukses. Dihet se SHBA-ja dhe BE-ja do të përfaqësohen në nivelet më të larta në Samitin e Ohrit”, ka thënë Neziri më tej.
Duke folur për ndalimin që Maqedonia, Mali i Zi dhe Bullgaria ia bënë Lavrovit që të fluturojë në drejtim të Serbisë, Neziri ka thënë se ka qenë e pritur sepse janë vende që i ishin bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. Ai e ka cilësuar tentimin e Lavrovit “test”.
“E ka ditur se këto vende janë rreshtuar me Perëndimin dhe kanë vënë sanksione. Ishte testim dhe presion ndaj vendeve që të shihet nëse këto aleatë do të ndjekin politikat e aleancës apo do të lëshojë ndonjëra pe. U pa se të gjitha janë të vendosura për këto sanksione kundër agresionit rus në Ukrainë”, ka shtuar ai.
Samiti i Ohrit në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbahet të martën e të mërkurën.
-
Rusia përkrah Ballkanin e Hapur, e quan iniciativë të Serbisë
-
Ministri i Jashtëm rus mbron Serbinë, por kritikohet nga Shqipëria
-
Rusia akuzon Perëndimin për “kërcënim të ekzistencës” së OSBE-së
-
Osmani: Nëse dikush dëmtohet nga “Ballkani i Hapur”, ne s’do të jemi pjesë e nismës
-
Pojar: “Ballkani i Hapur” shkon në dëm të shteteve të vogla