Neuropsikiatri Jusuf Ulaj duke folur për problemet e shëndetit mendor te njerëzit që kryejnë vepra penale të rënda, ka thënë se një njeri që kryen vrasje nuk mund të jetë krejtësisht normal sa i përket aspektit mendor.
Ulaj në “60 Minuta” të KTV-së duke komentuar rastin e vrasjes së gruas shtatzënë ditë më parë para oborrit të Gjinekologjisë, ka shtuar se raste të tilla kanë ndikim në shëndetin mendor te e gjithë popullata.
“Si psikiatër po flas, një njeri mendërisht normal, nuk bën veprime të tilla. Nëse një person që ka çrregullime të ndryshme mendore, mund të bëjë vepra si vrasje apo shfaqje të tjera të dhunës. Këto raste të vrasjeve në familje nuk i prekin vetëm familjarët, por ndikon edhe në shëndetin mendor të popullatës. Në reagimet për këto raste anashkalohet problemi kryesor, shëndeti mendor. Ajo që është parësore dhe duhet vlerësuar është së pari shëndeti mendor te personi që kryen veprën”, ka thënë Ulaj.
I pyetur se a po abuzohet me çështjen e shëndetit mendor te personat që po kryejnë vepra penale për t’i shpëtuar dënimit më të rëndë në gjykata, Ulaj u shpreh se një person që kryen vepër makabre i duhet bërë një trajtim profesional dhe shkencor, por nuk përjashtoi rastet e abuzimit.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që dikush në sistemin e drejtësisë, avokatët, apo kolegët e mi nuk e bëjnë analizën adekuate. Por unë po flas në aspektin profesional, një person që kryen kësi vepër makabre, duhet t’i bëhet një trajtim profesional dhe shkencor dhe të gjithë ato rrethanat që e bëjnë një person të dhunshëm. Vlerësimi i saktë bëhet pasi vlerësimi të bëhet në aspektin profesional dhe shkencor”, deklaroi neuropsikiatri.
Ulaj theksoi se në një hulumtim të bërë menjëherë pas luftës në Kosovës kishin dalë 23-25 për qind të njerëzve me çrregullime të stresit postraumatik që kishte ardhur si rrjedhojë e luftës.
“Njerëzit që kryejnë vrasje kanë probleme të çrregullimit të stresit postraumatik. Kanë përjetuar traumë qoftë edhe kur kanë qenë vegjël”, ka thënë Ulaj, duke shtuar se sot nuk dihet sa është ndikimi i luftës në çrregullimet e stresit postraumatik te njerëzit në Kosovës pasi nuk ka të dhëna shkencore.