Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nënkryetarja e LDK-së: Qeveria ta shfrytëzojë momentumin për marrëveshjen me Serbinë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të dijë që ta shfrytëzojë momentumin e krijuar me agresionin rus në Ukrainë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë, e ku sipas saj, njohja reciproke duhet të jetë në të. Vizitën e emisarëve specialë të Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, Mjekiqi e ka konsideruar si një mobilizim të madh të aleatëve perëndimorë për të zgjidhur konfliktin me Serbinë.

“Ne si LDK gëzohemi të dëgjojmë se po diskutohet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen reciproke në të. Ka angazhim të shtuar nga aleatët perëndimorë për të siguruar se do të ketë shtytje të procesit të dialogut dhe do të shohim progres. Ka një mobilizim jashtëzakonisht të madh, i cili duhet të materializohet nga Qeveria. Qeveria duhet ta dijë ta shfrytëzojë këtë momentum, ku faktori ndërkombëtarë është në anën tonë. Duhet të di ta shfrytëzojë këtë kontekst që është krijuar me agresionin rus në Ukrainë. Duhet të shkojë drejt një marrëveshje për njohje reciproke”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së të premten.

Por në aspektin e dialogut, Mjekiqi pati kritika të mëdha për Qeverinë, e cila thotë se po tregohet jotransparente jo vetëm me partitë opozitare, por me të gjitha kategoritë shoqërore.

“Shpeshherë atë që e mësojmë, e mësojmë nga mediat. Do duhet të kishte një mekanizëm që na informon mbi këto takime. Dhe të respektohet rezoluta që ishte përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, ku para ose pas çdo takimi me emisarë, duhej raportuar në Kuvend”, shtoi nënkryetarja e LDK-së.