Arbëri

Nenet për gjykimin e krimeve të luftës në mungesë të të pandehurve, të pazbatueshme

Që nga viti i kaluar, kur kanë hyrë në fuqi nenet që parashohin gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të ngrejë asnjë aktakuzë për krime lufte.

Departamenti special në Gjykatën Themelore të Prishtinës përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë aktakuzë në rastet e gjykimit në mungesë.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë deri më sot nuk ka pranuar asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për gjykimin në mungesë të krimeve të luftës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Por prokurori i shtetit, Besim Kelmendi, i cili është edhe anëtar i Komisionit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, thotë se nenet për gjykimin në mungesë parashohin gjykimin në mungesë, por jo edhe hetimin në mungesë, raporton KOHA. 

“Me këtë neni 346 A në momentin kur prokurori propozon gjykim në mungesë atëherë ai duhet të pezullojë hetimin që është një çështje e ndërlikuar sepse nëse e pezulloni hetimin atëherë nuk mund të ndërmerrni veprime hetimore. Nëse merrni veprime hetimore ju vlejnë afatet hetimore dhe nëse rrjedhin afatet hetimore e që aktualisht janë 2 vjet e 6 muaj me mundësu vazhdimi dhe brenda kësaj kohe nuk mundesh me përfundu hetimin atëherë nuk mundesh me ngrit aktakuzën. Çështja e pezullimit dhe hetimit në mungesë duhet të rregullohet”, tha Besim Kelmendi, Prokuror në Prokurorinë e Shtetit.

Kryesuesi i grupit për draftimin e Kodit të Procedurës Penale, Ardian Bajraktari, thotë se çështja e hetimeve dhe pezullimi ishin një gabim teknik, i cili pritet të qartësohet në ndryshimet që prite të bëhen në Kodin e Procedurës Penale.

Derisa, sipas tij, është propozuar që të zgjatet afati i hetimeve nga 2 deri në 4 vjet për rastet e krimeve luftës.

“Në kuadër të atyre ndryshimeve ishte përvjedhur një ndryshim i cili në dukje të parë dukej teknik mirëpo në fakt në praktikë ka hasur problem. Në vend se të hiqej nga zbatimi neni i cili bënte fjalë për afatin e hetimeve është hequr nga zbatimi neni i cili bën fjalë për pezullimin e hetimeve i cili realisht i bjen që nuk ka pas në fuqi ligj nen përkatës për afat të hetimeve e në fakt do të duhej te ishte e kundërta. I kemi hequr këto defekte teknike ka qenë aktive edhe prokuroria speciale besojmë që me theks për kategorinë e krimeve të luftës me rastin e hyrjes në fuqi është në linjë me standardet ndërkombëtarë”, tha Ardian Bajraktari, Kryesues i Grupi Punues për draftimin e Kodit të Procedurës Penale .

Por në IKD vlerësojnë se iniciativat për gjykimin në mungesë vijnë vetëm për të arsyetuar dështimin e organeve të ndjekjes në hetimet për krimet e luftës.

“Në bazë të monitorimit nuk kemi asnjë kërkese për ngritje të aktakuzës për arsye se ky kod është shumë miratuar vonë gjykimi në mungesë më shumë e kanë bërë për ta arsyetuar dështimet e tyre në krimet e luftës. Prokuroria speciale ka lëshuar disa fletëarreste për krime lufte që nënkupton të njëjtin mund të fillojnë hetime dhe të kërkohet përmes organeve ndërkombëtar të arrestohen. Për Kosovën është me rëndësi të dëshmohet se janë kryer hetime të bëhen hetimet të nxjerre aktvendime dhe të lëshohen fletëarreste”, thotë IKD-ja.

KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Prokuroria Speciale lidhur me hetimet që është duke i zhvilluar për krimet e luftës dhe problemet që ka hasur gjatë zbatimit të neneve për gjykimin në mungesë, por nuk ka marrë përgjigje.

Neni 346/A që rregullon gjykimin në mungesë iu shtua Kodit të Procedurës Penale në vitin kaluar, por që deri tani nuk ka gjetur zbatim.