Arbëri

Në Veri nisin së zbatuari masat e Serbisë për mbrojtje ndaj koronavirusit

Nga ora 20:00 deri në pesë të mëngjesit, u është ndaluar lëvizja e lirë banorëve të Mitrovicës së Veriut.

Ata kanë nisur ta respektojnë vendimin e shtetit fqinj, Serbisë, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme shkaku i koronavirusit, raporton KOHA.

Derisa pensionistëve u është ndaluar dalja nga shtëpia rreptësisht.

Qytetarët nuk janë të befasuar me vendimin pasi thonë se tani e 20 vjet, shëndetësia, arsimi dhe gjithçka tjetër këtu funksionon në bazë të sistemit të Serbisë.

“Sa i përket zbatimit të një urdhri të një shteti në shtetin tjetër, nuk është asgjë e pakuptimtë. Vendimet e tilla aplikohen qe 20 vjet dhe kjo nuk ka të bëjë veç me sot. Kjo ka ndodhur gjithmonë, mendoj që derisa të arrihet një marrëveshje rreth normalizimit të raporteve, gjërat do të funksionojnë kështu”, ka thënë Nexhat Uglanin, qytetar i Mitrovicës Veriore.

“Mendoj se një masë e tillë është në rregull sepse e shihni çka ka ndodhur në Itali. Ata e kanë pranuar në fillim një gjë të tillë aspak seriozisht dhe shihni deri ku ka ardhur puna. Kanë ndaluar edhe pjesëmarrjen në ceremonitë mortore të të afërmeve të tyre, prandaj mendoj se një gjë e tillë është në rregull, në mënyrë që të pengohet përhapja e virusit”, ka thënë Natasha Vllahoviq, qytetare e Mitrovicës Veriore.

Megjithatë, Alleksandar Spiriq, kryetari i komunës paralele në veri të Mitrovicës, ka thënë se vendimi nuk është politik, por në interes të shëndetit të qytetarëve.

“Vetëm izolimi dhe disiplina janë ato që garantojnë që të tejkalojmë atë që na pret ditët dhe javët në vijim në mbarë botën. Kjo nuk është politikë, as moment politik, dhe as që dëshirojmë të jenë vendime politike, por është interes i të gjithë qytetarëve që jetojnë në qytetin tonë, pavarësisht nacionalitetit, sepse primare kemi sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve”, ka thënë Spiriq.

Por, për Policinë e Kosovës, çdo masë që nuk vjen nga shteti kosovar është e pazbatueshme.

Qytetarët serbë në këtë pjesë pothuajse çdoherë kanë refuzuar të respektojnë çfarëdo vendimi të Qeverisë së Kosovës.