Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në raundin e dytë shqiptarët mund të fitojnë 13 komuna në Maqedoni

Partitë shqiptare në Maqedoni mund të fitojnë drejtimin e 13 komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Forca politike më e madhe shqiptare në vendin fqinj është konfirmuar BDI, parti e cila në raundin e parë fitoi 2 komuna.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, që u zhvilluan të dielën, vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim arriti të sigurojë fitore në dy komuna. Por gara ndërmjet partive shqiptare mbetet e hapur. Me 29 tetor do të zhvillohet dhe raundi i dytë. Për balotazhet e mbetura do të votohet në 35 komuna.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë, BDI ka epërsi ndaj rivalëve të saj në 11 komuna. Kurse Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH janë në epërsi vetëm nga një komunë. Ndërkohë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka bërë me dije se nuk do të mbështesë kandidatët e BDI-së. Nga ana tjetër kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti theksoi se koalicion për mbështetje në zgjedhjet lokale ka vetëm me LSDM.

Kurse Lëvizja Besa shpreson në mbështetjen e kandidatëve të saj nga Aleanca për Shqiptarët në disa komuna. Përkatësisht kjo parti garon kundër BDI në 7 komuna.

Ndërkohë, fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve lokale ishte Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Kjo forcë politike e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev në raundin e parë mori drejtimin e 37 komunave përfshirë qytetin e Shkupit. Ndërsa VMRO-DPMNE rezultoi një dështim i vërtetë duke fituar vetëm në Ilindien, Petrovec dhe Sopishtë. Kandidatët e këtyre dy partive do të garojnë në 19 komuna në votimin e 29 tetorit.