Gjatë së premtes ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, që ka ndodhur në nëntor të 2015-s. Në seancë është ftuar edhe eksperti i Forenzikës, nga i cili është kërkuar të konstatojë nëse në disa imazhe shihej ose jo viktima në veturën e të dyshuarit
Ekspertë të Forenzikës nuk kanë nxjerrë një informatë thelbësore që e priste gjykata, në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt nga i akuzuari Naser Pajazitaj. Ata kishin detyrë të pastronin disa video dhe fotografi të veturës së të akuzuarit, për të kuptuar nëse brenda ndodhej edhe e ndjera.
Në seancën e së premtes të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, eksperti i Forenzikës ka thënë se nuk i takon atij ta japë këtë konstatim.
“Kërkesa juaj për identifikim nuk bie në domenin tim. Pra, nuk mund të jap një mendim për të cilin nuk jam i thirrur”, ka thënë para trupit gjykues Besim Asllani, ekspert i Forenzikës.
E, mungesën e përgjigjes e ka konstatuar edhe prokurorja e rastit, Valbona Haxhosaj.
“Eksperti nuk e ka përcaktuar identifikimin e veturës te shtëpia, se a është e njëjta veturë dhe a shihet në kamera, meqenëse e keni ftuar ekspertin sot për këtë rrethanë se a ka kompetencë të japin një mendim”, ka thënë prokurorja Haxhosaj.
Në këtë seancë i pandehuri Naser Pajazitaj është mbrojtur në heshtje.
E, gjykata ka refuzuar propozimin e avokatit të tij, Ahmet Tahiri, për ta thirrur edhe një dëshmitar në këtë gjykim.
Edhe
Supremja liron të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt
“Kjo lëndë për herë të katër është në rigjykim dhe kjo lëndë po zvarritet për shkak të paragjykimeve ndaj klientit tim, duke u bërë gjyq publik, duke pretenduar se është kryerës i veprës penale. Me asnjë provë, me asnjë dëshmitar, nuk vërtetohet se i pandehuri Naser ka kryer këtë vepër”, ka thënë avokati Tahiri.
Që nga nëntori i vitit 2015, Naser Pajazitaj akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ka ndodhur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, në nëntor të vitit 2015. Gjatë një procesi, atij i është shqiptuar dënim i përjetshëm me burg, por procesi është kthyer në rigjykim.
Prokurorja e rastit dhe avokati i të pandehurit më 21 qershor do ta paraqesin fjalën përfundimtare para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
-
Mbrojtja kërkon lirimin e të dënuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt
-
Nis rigjykimi ndaj Naser Pajazitajt, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt
-
Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, prokuroria vërtetim të dënimit
-
Naser Pajazitaj i refuzon 61 mijë euro dëmshpërblim nga KGJK-ja, kërkon 1 milion