Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizuan garën “Shkencëtari i Ri”, në objektin e gjimnazit matematikor, bën të ditur kjo drejtori përmes një njoftimi për media, transmeton Koha.net.
Është viti i tretë që organizohet një garë me karakter të tillë, ndërsa këtë vit garës iu dha një dimension më i gjerë me pjesëmarrjen edhe të nxënësve të komunës së Ferizajt.
Ky format i garës u organizua me nxënësit e gjimnazeve të Prishtinës dhe Ferizajt, ku u përfshinë shkollat si “Sami Frashëri”, “Ahmet Gashi”, “Alauddin”, “Xhevdet Doda”, “Gjimnazi Matematikor” dhe “Kuvendi i Arbërit”. Pjesëmarrës ishin gjithsej 39 nxënës të klasave X, XI dhe të XII, të cilët pasi kanë treguar rezultate të larta në garat e zhvilluara në shkollat e tyre, iu nënshtruan testit në nivel komune në fushën e shkencave natyrore (biologji, kimi dhe fizikë).
Qëllimi dhe organizimi i garës me karakter të tillë, është identifikimi i talenteve të ri, nxjerrja në pah e shkathtësive dhe kompetencave të tyre në shkencat natyrore dhe njëkohësisht mbështetjen e tyre drejt avancimit dhe zhvillimit profesional.
Drejtoria e Arsimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në këtë segment kanë hartuar strategji dhe politika stimuluese, në mënyrë që nxënësit që do tregojnë rezultate dhe suksese të larta do të kenë mbështetje.
Edhe
Garë e fizikanëve të Prishtinës

Përmes këtyre aktiviteteve garuese dhe politikave stimuluese për nxënësit e suksesshëm, synohet nxitja e tyre për të garuar në sferën e dijes dhe për t’i përmirësuar rezultatet e të nxënit.
Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës thekson në njoftimin e saj për këtë aktivitet se po punon në mënyrë të vazhdueshme, për krijimin e kushteve sipas standardeve bashkëkohore për mësimdhënie dhe mësim-nxënie cilësore, me qëllim që cilësia, rezultatet dhe suksesi në shkollat tona të shënojë progres dhe të arrijnë në nivelin e shkollave të përparuara.