Arbëri

Në Parlamentin Evropian bëhet thirrje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë

parlamenti evropian

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar tri raporte, në dy prej të cilave u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet nga dialogu dhe u ka kërkuar normalizim gjithëpërfshirës të raporteve, përfshirë edhe përmes njohjes së ndërsjellë. Në këto dokumente, mes tjerash, është lavdëruar Kosova dhe është kritikuar Serbia për qasjen në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Tri raporte të ndara janë miratuar të mërkurën nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian – një për Kosovën, një për Serbinë dhe një kushtuar ndërhyrjes negative të jashtme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian.

Komisioni për Politikë të Jashtme, me 44 vota në favor, 8 kundër dhe 3 të përmbajtura ka miratuar raportin e raportueses Vila Von Cramon kushtuar Kosovës.

Në këtë raport, përshëndetet përparimi që ka bërë Kosova në procesin e reformave. Po ashtu, edhe në përshtatjen me Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, por kërkohet nga Kosova që të bëjë më shumë në vazhdim të procesit të reformave.

Po ashtu është shprehur keqardhje për shkak të ndikimit që ka pasur polarizimi politik në punën e Kuvendit të Kosovës.

Sikur edhe në raportet e mëhershme, edhe kësaj radhe Parlamenti Evropian ka kërkuar nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Është përshëndetur edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Është përshëndetur po ashtu edhe miratimi i vendimit të shumëpritur të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sa u përket detyrimeve të Kosovës në vazhdim të procesit të integrimeve evropiane, pos reformave në gjyqësor dhe vazhdimit të procesit të demokratizimit, është përmendur edhe normalizimi i raporteve me Serbinë.

Kjo pjesë është përfshirë edhe në raportin për Serbinë.

Si në raportin për Kosovën, ashtu edhe në raportin për Serbinë bëhet ftesë për të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet nga dialogu ndërsa kërkohet që të arrihet normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve, përfshirë edhe përmes njohjes së ndërsjellë.

Në raport, Serbia kritikohet ashpër për afërsi me Rusinë, sidomos për shkak se retorika e politikanëve të Serbisë e ka larguar këtë shtet nga integrimet evropiane dhe nga ndarja e vlerave të përbashkëta.

Ndonëse Serbia përshëndetet për shkak se ka mbështetur disa vendime në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, megjithatë është shprehur zhgënjim se Serbia vazhdon të refuzojë kërkesat për të mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Në të njëjtën kohë, disa deputetë kanë propozuar që ndihma e ardhshme financiare ndaj Serbisë të kushtëzohet mes tjerash edhe me qëndrimet e saj për sanksionet ndaj Rusisë.

Është miratuar edhe raporti për ndërhyrjen e jashtme dhe këtu është përmendur përsëri Serbia si hapësirë përmes së cilës Rusia tenton të ndërhyjë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në veçanti është dënuar fakti se Serbia i ka mundësuar kanalit shtetëror rus “Russia Today” dhe agjencisë “Sputnik” që përmes qendrave në Beograd të vazhdojnë përhapjen e dezinformatave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke i dëmtuar kështu proceset demokratike dhe interesat e Bashkimit Evropian.

Këto raporte do të barten tash në seancë plenare të Parlamentit Evropian, ku do të debatohen dhe miratohen përsëri në muajin maj.