Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Milloshevë të Obiliqit nis ndërtimi i sallës sportive

Komuna e Obiliqit në vazhdën e projekteve të planifikuara, është duke realizuar infrastrukturën shkollore, projekte këto që kanë një rendësi të veçantë në mbarëvajtjen e procesit mësimor për nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune.

Pas vënies së gurthemelit të sallës sportive, gjatë ditës së djeshme, për dy shkollat e mesme në Obiliq, kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi me bashkëpunëtorë sot ka përuruar nisjen e punimeve për një tjetër sallë sportive.

Është kjo shkolla e mesme e ulët ‘Hasan Prishtina’ në Milloshevë e cila vitin e ri akademik do ta presë me sallë të re të Edukatës fizike.

Të paktën kështu ka deklaruar kryetari Xhafer Gashi, i cili bëri të ditur se vlera buxhetore e kësaj salle është 244 mijë euro. Ai para nxënësve dhe mësimdhënësve ë kësaj shkolle tha se janë me fat që komuna e Obiliqit tashmë është ndër komunat më të pasura në rajon.

"Është projekt me vlerë 244 mijë euro, me sipërfaqe 650 metra katrorë dhe plani dinamik është për 150 ditë”, tha Gashi.

Gashi bëri të ditur se komuna e Obiliqit ka planifikuar që këtë vit të realizojë 246 projekte dhe se kjo u është mundësuar nga qeveria aktuale e cila filloi implementimin e buxhetit për Ligjin e Obiliqit.