Në fshatin Kryshec të Pejës, që ka rreth një mijë banorë, këtë javë ka nisur ndërtimi i objektit të ri të Ambulancës së Mjekësisë Familjare. Ky fshat nuk ka qenë pa ambulancë, pasi objekti i saj është ndërtuar pas luftës.
Mirëpo, siç pohon drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci nga Lidhja Demokratike, banorët në atë fshat kanë pasur nevojë për një objekt të ri, pasi sipas Locit, objekti i vjetër nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara të mjekësisë primare.
“Faktikisht objekti ekzistues nuk i ka plotësua kushtet elementare për një ambulancë. Objekti i vjetër është ndërtuar si ato shtëpitë e pasluftës, vetëm sa me ofrua një shërbim, por jo me kushte të kërkuara të mjekësisë primare”, thotë Loci.
KOHA ka kontaktuar edhe një banor të atij fshati, Ardian Berishën, që është shef i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Pejës. Ndonëse që janë rival politik në Pejë, Berisha ka arsyetuar ndërtimin e objektit të ri nga komuna.
“Besoj, ka diku 15 vjet që është ndërtuar objekti i ambulancës. Objekti deri diku i ka plotësuar kushtet, por drejtë më thënë, jo edhe aq. Mjek nuk kemi pas një kohë. Tani ka, me ndërprerje”, thotë Berisha.
Drejtor i Shëndetësisë pranon se një kohë në atë ambulancë nuk ka pas rregullisht mjekë, por tash e një kohë, sipas tij ka mjek. Objekt i ri i Ambulancës është investim kapital i Komunës, i planifikuar për vitin 2020.
Loci tha se objekti i ri ka arkitekture moderne të objekteve shëndetësore dhe vlera e përgjithshme e ndërtimit të objektit të ri është 60 mijë euro.
Në këtë çmim sipas tha Loci, nuk përfshihet edhe inventarizim i objektit. Loci tha se ambulanca e re planifikohet të hapet në fund të këtij viti, ndërsa objekti i vjetër i ambulancës, sipas Locit do të rrënohet. Me objekt të ri të Qendrës së Mjekësisë familjare do të bëhet edhe lagja “Karagaqi” në Pejë, në të cilën lagje ekziston QMF-ja, objekti i të cilës sivjet është rinovuar.
“Objektin e vjetër të Q!MF-së në Kragaq e kemi rinovuar tash në kohën të pandemisë dhe ky objekt do të shndërrohet në objekt administrativ komunal. Kurse vitin e ardhshëm do të ndërtohet objekti i ri i QMF-së në Karagaq, te shkolla fillore ‘Vaso Pasha’”, tha Loci. Me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023, komuna ka planifikuar të investojë në infrastrukturën e shëndetit primar mbi një milionë euro.
“Mbas dy viteve Peja do ta këtë rrjetin më të mirë në Kosovë të Qendrave dhe Ambulancave të Mjekësisë Familjare”, pohon Loci.