Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Kryqin e Kuq të Prishtinës, 150 telefonata në ditë për ndihmë në ushqim

Në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit, në Kryqin e Kuq të Prishtinës janë shtuar kërkesat e familjeve në nevojë për ndihma elementare. Zyrtarë të saj kanë thënë se brenda ditës pranojnë mbi 150 telefonata nga njerëz që kërkojnë ushqim dhe pajisje higjienike në qytet dhe fshatra të Prishtinës. Ata thonë se po u dalin në ndihmë këtyre familjeve duke shpërndarë pako çdo ditë.

Shkaku i pandemisë, shumë biznese e kanë pezulluar punën dhe kërkesat e qytetarëve që jetojnë në kushte të vështira socio-ekonomike, për pako ushqimore e higjienike, janë shtuar.

Sekretari i Kryqit të Kuq në Prishtinë, Hasan Mustafa, ka thënë se numri i thirrjeve në këtë qendër është shtuar pas përhapjes së koronavirusit.

“Numri i atyre që telefonojnë të ne, lirisht mund të them diku 1000 telefonata javën e kaluar i kemi pasur, tash kjo javë njëjtë po vazhdon sikur javën e kaluar. Javën e kaluar prej Kryqit të Kuq të Prishtinës janë shpërndarë 200 e më shumë pako ushqimore e higjienike, miell për të gjitha familjet që e kemi të verifikuara dhe ato që nuk i kemi të verifikuara”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar për ksp se shumica janë nga qyteti i Prishtinës, por që ka edhe nga fshatrat përreth.

Mustafa thotë se edhe këtë javë do të vazhdojnë të shpërndajnë ndihma, por që prioritet i kanë ato familje që përballen me mungesa elementare.

Edhe Pandemia shton kërkesat në Prizren për ndihma me pako ushqimore Video Pandemia shton kërkesat në Prizren për ndihma me pako ushqimore

“Prioritet e kemi kategorinë A, sepse gjendja e tyre është shumë më e rënduar, sidomos në këtë kohë të pandemisë. Kategoria A është kur nuk kanë kurrfarë të ardhura, objekti i banimit është i dëmtuar tej mase, me fëmijë, nëna vetushqyese, asnjë anëtar i familjes nuk punon, nuk marrin as social, këto raste janë që i përkrahim më shumë ne si Kryq i Kuq”, thotë ai.

Ai tregon që kërkesat më të shpeshta tani janë për ushqim dhe higjienë, dhe jo për veshmbathje.

Mustafa thotë se aksionet po i realizojnë me vullnetarë dhe biznese e organizata që po shprehin gatishmërinë të ndihmojnë.