Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit në Kosovë do të vijojë mot kryesisht i ngjashëm.
Sipas njoftimit, kjo situatë meteorologjike mbetet si pasojë e masave anticiklonike të cilat mbesin të qëndrueshme mbi kontinentin e Evropës Juglindore.
Kosova sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të cilat do të sjellin mot me diell, por nuk përjashtohet mundësia për reshje lokale. Temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë ku do të variojnë: në zonat malore nga 04°C deri në 14°C dhe në zonat e ulëta nga 06°C në 17°C.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit.