Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Gjilan, paralajmërohet fillimi i dezinfektimit dhe kontrollit shëndetësor në shkolla

Selami Xhemaili, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit, të martën në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se në bazë të planit të hartuar për vitin 2018 do të fillojmë me implementimin e Projektit të Dezinfektimit dhe Deratizimit në territorin e Gjilanit. Ai ka thënë se implementimi i projektit do të fillojë gjatë këtij muaji.

“Dezinfektimi i hapësirave publike do të bëhet në tri faza që zgjasin gjatë tërë sezonit veror dhe qëllim primar ka parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse përmes eliminimit të mushkonjave dhe të insekteve të tjera. Gjithashtu edhe në sektorë të tjerë shkolla, objekte të veçanta, institucione do të bëhet Dezinfektimi dhe Deratizimi sipas kërkesës dhe nevojës”, ka thënë Xhemaili.

Ai ka thënë se Drejtoria e Arsimit në Gjilan ka kërkuar organizimin e kontrolleve sistematike nëpër shkolla dhe se brenda kësaj jave do të fillojnë me këtë aktivitet.

“Këtë javë përmes stafit të mjekësisë familjare do të fillojnë kontrollet shëndetësore nëpër shkollat e Gjilanit, që është edhe kërkesë e DKA-së. Gjithashtu në baza ditore bëhet pranimi i kërkesave për subvencionim të barnave për pacientët që janë të diagnostikuar me sëmundje të rënda e që fatkeqësisht kanë gjendje të rëndë ekonomike”, ka potencuar ai.

Drejtori i Shëndetësisë ka deklaruar se ata çdo muaj paguajnë qira për 50 familje, të cilat kanë probleme me strehim, si dhe bëjnë shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet me gjendje të rëndë ekonomik dhe se kanë bashkëpunim me dy shoqata humanitare dhe se deri tani janë shpërndarë 200 pako ushqimore në vlerë prej 8 mijë eurove. Ai ka deklaruar se është duke u vazhduar ndërtimi i objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare, e cila do të ofrojë kushte më të mira për pacientin.