Arbëri

Në festën e 28 Nëntorit, Prizreni bëhet me bust dhe shtatore të Skënderbeut

Vendit të vizitave historike në Prizren të shtunën i janë shtuar edhe dy pika referimi, të cilat do të shërbejnë për përkujtimin e heroit mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Me rastin e shënimit të festës së 28 Nëntorit, busti i Skënderbeut është zbuluar në kompleksin e Kishës katolike në Prizren, derisa shtatorja e tij është vendosur në rrugën “Hasan Prishtina”, raporton KOHA.

Në të dyja ngjarjet është përkujtuar rezistenca e udhëhequr nga Skënderbeu kundër Perandorisë Osmane, duke e cilësuar si një moment përcaktues në historinë e popullit shqiptar. Kësisoj autoritete vendore, diplomatë e aktivistë të shoqërisë civile kanë vlerësuar se shembulli i Skënderbeut përgjatë historisë ka shërbyer si frymëzim në luftën për liri të shqiptarëve, si për rilindësit ashtu edhe për pjesëtarët e UÇK-së.

Fillimisht në kompleksin e Kishës katolike në Prizren, me organizimin e kësaj kishe dhe ambasadës së Hungarisë me pjesëmarrje të kufizuar shkaku i pandemisë është zbuluar busti i Skënderbeut, krah atij të Janos Hunyadit, që ishte zbuluar në tetor të vitit të shkuar. Në këtë ceremoni, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla ka theksuar se në këtë 28 Nëntor, me inaugurimin e bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbe, jepet mesazhi i bashkimit, orientimit evropian dhe perëndimor, që është trashëguar si testament nga epoka e heroit kombëtar.

“Me largpamësinë e tij, Skënderbeu na la një trashëgimi të çmueshme diplomatike, për aleancat dhe lidhjet e diplomatike ndërmjet shteteve, principatave e zotërimeve të kësaj pjese të Evropës. Në këtë kuadër dalloheshin marrëdhëniet e shqiptarëve me Hungarinë, ndërsa Janosh Hunyadi, udhëheqësi i popullit hungarez që luftonte po ashtu kundër pushtuesve osmanë, ishte aleati më i rëndësishëm i Skënderbeut dhe shqiptarëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, rezistenca e udhëhequr nga Skënderbeu do të bëhet një moment përcaktues në historinë e popullit shqiptar. Ndërsa përkujtimi i tij në Prizren është i rëndësishëm, pasi që ky qytet cilësohet si djepi i lindjes së shtetit shqiptar.

“Prizreni simbolizon pikëtakimin e përpjekjeve të gjata historike e shtet-formuese dhe qytetin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, qytetin e vendimeve të jashtëzakonshme historike”, është shprehur Haradinaj Stublla.

Istvan Balogh, Drejtor Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë ka theksuar se dy heronjtë kombëtar nuk kanë mundur të luftojnë krah për krah për shkak të rrethanave të kohës, por se ata mund të përkujtohen bashkë si mbrojtës të Evropës Juglindore.

“Këta dy persona të shkëlqyer bënë një aleancë dhe luftuan me një forcë ë madhe për ta mbrojtur popullin e tyre dhe ata patën sukses”, ka deklaruar Balogh.

Ipeshkvi Dodë Gjergji është pajtuar me konstatimin e mysafirit hungarez, por ka shtuar se që të dy prijësit kanë pas të njëjtin qëllim. Ai ka uruar që shembulli i kësaj aleance të hershme, të shërbejë sot si shtytje e re për dashuri më të madhe ndaj atdheut, lirisë dhe Evropës.

“Këta dy burra këtu duhet të jenë drita dhe synimi i secilit njeri që e donë tokën e vet, lirinë dhe qytetërimin evropian”, ka thënë Gjergji.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se vendosja e bustit të Skënderbeut krah atij të Hunyadit shërben si përkujtues se miqësia mes dy popujve është historike dhe se do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen. “Ashtu si këta që i bashkuan popujt tanë në të kaluarën, tani po bashkohemi këtu në partneritetin evropian”, ka thënë Haskuka, duke shtuar se Hungaria ka qenë mbështetëse e shtet ndërtimit të Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka shprehur qëndrimin se në aspektin e artit luftarak, luftëtarët e lirisë në trojet shqiptare i janë referuar shembullit e modelit më të mirë të unitetit që ka qenë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Më vonë gjatë ditës, në rrugën “Hasan Prishtina” është zbuluar edhe shtatorja e Skënderbeut, projekt i jetësuar nga Drejtoria e Administratës së Komunës së Prizrenit.

Përskaj rrethit afër Stacionit të Autobusëve janë mbledhur edhe qytetarët për ta parë nga afër zbulimin e shtatores së figurës kombëtare. Para tyre, kryetari Haskuka ka deklaruar se rilindësit për krijimin e Shqipërisë kanë ndjekur shembullin e Skënderbeut, sikurse që kanë bërë edhe pjesëtarët e UÇK-së në luftën e fundit.

“Sot, Skënderbeu dhe Lidhja Shqiptare bashkohen në kryeqytetin historik të Kosovës së Adem Jasharit. Pra sot na bashkohen datat, na bashkohen figurat historike, na bashkojnë qëllimet e tyre”, ka thënë Haskuka, duke shtuar se vetëm duke qenë bashkë mund të kapërcehen sfidat e vështirësitë.

Ndërsa Nue Oroshi nga “Trojet e Arbrit”, shoqatë kjo që ka kontribuar për jetësimin e këtij projekti, ka ofruar një përshkrim më të gjerë për karakterin e Skënderbeut si dhe historikun e idesë dhe realizimit të shtatores së tij në Prizren. Sipas tij, Skënderbeu është personalitet i madh, për të cilin bota perëndimore jo vetëm që botoi libra por edhe e përjetësoi në bronz. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu është heroi ynë më i madh i të gjithë kohërave. Luftërat dhe betejat që kishte zhvilluar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishin aq të mëdha sa për kohën kur janë zhvilluar ato ishte e pamundur të imagjinohet një qëndresë kaq e madhe e një populli të vogël karshi fuqisë ushtarake që kishte në atë periudhë kohore Perandoria Osmane.

i degës së OVL-së në Prizren, Isa Berisha ka shprehur qëndrimin se kombi shqiptar nga koha e Skënderbeut është përballur me stuhi të ndryshme, por se i ka përballuar ato me luftëra të drejta dhe çlirimtare. “Vendosëm sot simbolin më të madh, jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe mbrojtës i civilizimit perëndimor të shekullit XV”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari ka nënvizuar se aty ku është dhe ku duhet kujtuar historia aty duhet të jetë edhe Skënderbeu. “Prizreni është qytet historik i shqiptarëve andaj edhe Skënderbeu duhet të jetë aty ku është historia, pra në Prizren”, ka deklaruar Hajdari.

Guri themeltar për shtatoren e Skënderbeut ishte vendosur një vit më parë. Plani ka qenë që shtatorja të zbulohej me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së heroit mbarëkombëtar. Asokohe masat e ndërmarra për frenimin e pandemisë patën pamundësuar kremtimin e ditëlindjes së Skënderbeut me shtatoren e tij në qytetin historik.

{gallery}