Arbëri

Në det gjatë pandemisë: 400 mësimdhënës nisen drejt Shqipërisë nën organizimin e SBASHK-ut

Komuna e Ferizajt gjatë ditëve të fundit është rikthyer në vatër të koronavirusit me gjithsej 101 raste aktive të infektuar.

Por kjo nuk e ka ndaluar Sindikatën e Arsimit në këtë komunë që t’i bashkohet ekskursionit pesë ditor të SBASHK-ut për në bregdetin shqiptar, në të cilin po marrin pjesë shumica e komunave me 400 mësimdhënës.

Ftesës nga Ferizaj i janë përgjigjur rreth 30 mësimdhënës, të cilët në orët e hershme të mëngjesit të së hënës janë nisur drejt Shqipërisë, derisa një pjesë e tyre nuk u janë përmbajtur masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Rexhep Sadiku, kryetar i Sindikatës së Arsimit në Ferizaj, ka thënë se përballë stresit dhe izolimit të pandemisë, kanë vendosur të shkojnë në bregdetin shqiptar në mënyrë që mësimdhënësit t’i kalojnë brengat e tyre dhe të marrin energji pozitive.

Sipas tij, ky ekskursion është organizuar në vazhdën e traditës së SBASHK-ut nga të hyrat vetjake të saj, ndërkaq mësimdhënësit nuk do të paguajnë asgjë nga xhepi i tyre.

Në anën tjetër, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se sindikata e Arsimit nuk e ka menduar mirë çështjen e ekskursionit, ndërkaq Ferizaj është në një situatë të rëndë nga COVID-19.

Në këtë komunë deri tash janë shëruar 140 pacientë me COVID-19, ndërkaq Komuna po vazhdon të apelojë te qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.