Arbëri

Në arrest shtëpiak i akuzuari për vrasje, djali i viktimës ndihet i rrezikuar

Një i vrarë dhe dy të plagosur ishte epilogu i një konflikti për çështje pronësore që kishte ndodhur në tetor të vitit 2017, në fshatin Sharban të komunës së Prishtinës.

Por, njëri nga të akuzuarit kryesorë në këtë rast G.Rexhepi, i cili që nga tetori i 2017 ishte në paraburgim, me një vendim të gjykatës, ka ndryshim të kësaj mase me arrest shtëpiak, raporton KTV.

Agron Rexhepit të cilit babai i mbeti i vdekur nga ky konflikt, i cili kishte ndodhur për prerje të malit, thotë se ai dhe familja e tij po ndihen të rrezikuar, pas ndryshimit të kësaj mase për kushëririn e tyre nga ana e gjykatës.

Ndërsa avokatja që përfaqëson familjen e Agron Rexhepit thotë se trupi gjykues kreu shkelje ligjore kur mori vendim për ndryshim të masës.

Sipas Albana Kelmendit, ndryshimi i masës në arrest shtëpiak paraqet rrezik për familjen.

Gjykata Themelore në Prishtinës, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se vendimin për ndryshimin e masës e ka marrë pas kërkesës së avokatit të të pandehurit dhe premtimit të të pandehurit se nuk do ta shkelë këtë masë.

“Mbrojtësi i të akuzuarit G.R., në seancën e shqyrtimit gjyqësor më datë 10.09.2019, i ka propozuar Gjykatës që të ndërpritet masa e paraburgimit dhe kjo masë t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, duke konsideruar se është masë më e përshtatshme dhe e arsyeshme për sigurimin e prezencës së tij në seancat e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor, po ashtu i akuzuari G.R në seancën e shqyrtimin gjyqësor të datës 10.09.2019, i premtoi Gjykatës se nuk do ta braktisë vendbanimin, derisa të kryhet procedura penale në këtë çështje, duke garantuar Gjykatën se deri në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor, do të jetë prezent. Trupi gjykues i kësaj çështjeje kishte vlerësuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit G.R. dhe pas dhënies së premtimit nga i akuzuari G.R. se nuk do të braktisë vendqëndrimin dhe po ashtu pas marrjes së mendimit të Prokurorit të Shtetit, vlerësoi se propozimi i njëjtë është i bazuar, pasi që lidhur me veprimet procedurale që janë ndërmarrë deri më tani, shihet se kanë pushuar arsyet ligjore për mbajtjen e mëtutjeshme të të pandehurit G.R. në paraburgim”, thuhet në përgjigjen nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga prokuroria themelore në Prishtinë për këtë rast, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje .

Ndërsa avokati Mentor Neziri, i cili mbron të akuzuarin në këtë rast G.Rexhepi përmes telefonit, ka thënë se kjo masë do të duhej të ndryshohej kohë më parë, derisa shton se ajo është marrë konform ligjit.

Në këtë përleshje të armatosur, janë të përfshirë pesë të akuzuar familjarë mes vete.

Ata dyshohet se u përfshinë në një përleshje të armatosur në tetor të vitit 2017, për shkak të një konflikti që kishte të bënte me prerje të malit.

Nga kjo përleshje u vra 60-vjeçari Shaip Rexhepi, derisa u plagosën edhe dy të tjerë.