27 vjet pas masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, dhimbja dhe kujtimi i asaj dite vazhdojnë të jenë të freskëta për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave. Në 27-vjetorin e krimit, ata u mblodhën për të bërë homazhe pikërisht në orën kur, 27 vjet më parë, ndodhi masakra
Ora 14 e 20 i bëri bashkë të premten familjarët e 7 viktimave dhe të mbijetuarit e masakrës së Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, të kryer nga forcat serbe më 13 mars 1999.
Edhe në 27-vjetorin e masakrës, sikurse çdo përvjetor, ata bënë homazhe para obeliskut që mban të gdhendur emrat e 128 civilëve të plagosur rëndë dhe 7 të tjerëve që nuk iu mbijetuan plagëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAzem Beqiri, ishte 17-vjeçar dhe punonte bashkë me familjarët në treg, kur forcat serbe shpërthyen mjete eksplozive. Kujtimet nga ajo ditë që e la me pasoja, i ka ende të freskëta.
“Kur me ka rrokë granata, unë e kam hetu vetën sikur një thikë kur të prenë, që të ngulet në dorë, ose kur të prehesh me ndonjë skalper. Kam vrapu andej poshtë për me dal prej tregu. Atëherë e kam kuptu që unë jam i plagum edhe e kam dorën e këputne, komplet të kacavjerrun e kam pas. E kam marrë këmishën në anën e majtë këndej dhe e kam shky me dhëmbë, e kam lidh këndej dorën për me ia dhënë vetës ndihëm e parë”, ka thënë Beqiri, i mbijetuari i shpërthimit të 13 marsit 1999.
Për shkak të lëndimeve në dorë, ai u detyrua t’i nënshtrohej rreth 50 intervenimeve kirurgjikale.
Gjymtyrë humbi edhe Xhafer Haziri. Ai ishte 24 vjeç kur serbët kryen krimin në treg.
“Atë ditë u kanë ditë e mjerueshme. Jemi kanë tu punu këtu, u kan’ ora 14:15, u ra granata ngat meje qaty, se kam pas as 3 metra larg. E kam humbë këmbën, vëllai i ka humb dy këmbët dhe baba u plagu. Tre vetë të familjes jemi të plagum në tregun e Mitrovicës”, ka treguar Haziri.
E Tafil Stranaj, familjar i viktimave të kësaj masakre, rrëfen për plagët që la kjo ngjarje në familjen e tij.
“6 anëtarë të familjes i kam pas këtu të plagosur. Çikën e axhës, çikën e axhës ka qenë e vdekur në vend. Babën të plagosur, nënën të plagosur, vëllaun edhe dy çika të tjera të axhës të plagosur. Njëra është pa 4 gishta të dorës dhe këmbët i ka të shkurtuara”, ka thënë rrëfyer Stranaj.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, vendosi lule pranë obeliskut, por homazhe bëri në orën 11:00 me kabinetin, duke mos respektuar simbolikën e orës kur është kryer krimi.
E, në këtë përvjetor, presidentja Vjosa Osmani e cilësoi masakrën si dëshmi të krimeve mizore të regjimit serb, ndërsa kryeministri Albin Kurti e përshkroi sulmin si një krim që tregon modelin brutal të dhunës shtetërore ndaj civilëve të pafajshëm.
Por, institucionet e drejtësisë dekada pas luftës nisën mbledhjen e dëshmive për këtë krim.
Azem Beqiri tregoi se tek në 2025-n dha dëshminë e tij.
“Deri në vitin e kaluar nuk ka ardhë askush me na marrë në pyetje. Vitin e kaluar kam dhanë intervistë, tash presim me u zbardhë ky rast... Shumë është e vonshme kjo, për shkak se janë ftofë edhe njerëzit edhe pritojnë me dhanë dëshmi. Pritojnë edhe me kallxu të vërtetën se çka ka ndodh”, është shprehur Beqiri.
Për qytetarët e Mitrovicës, lufta nuk ka përfunduar në 1999. Ata të pjesës veriore të qytetit vazhduan të përballen me dhunë, terror dhe dëbime edhe në vitet pasluftës.