Arbëri

Në 2020-n, SHSKUK-në e lanë 3 mjekë, e këtë vit 56

Ka shënuar rritje kurba e profesionistëve që, brenda 3 vjetësh, kanë lëshuar punën në dy institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë publike në Kosovë.

Përderisa në vitin 2020, numri i mjekëve që kanë lënë Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës numërohej në gishta, deri më 15 nëntor të këtij viti janë dhjetëra ta tillë që e kanë braktisur këtë institucion. Bazuar në të dhënat që ia ka ofruar SHSKUK-ja KOHËS, ka mbërritur në gati 2000 për qind shkalla e largimeve.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se 3 mjekë specialistë, që ishin të angazhuar nëpër njësitë e SHSKUK-së, pas arsyeve të parashtruara, me vetëdëshirë, i kanë shkëputur kontratat e punës me institucionin gjatë vitit 2020. Një vit më vonë, më 2021, 26 mjekë specialistë kanë përfunduar marrëdhënien e punës me SHSKUK-në. Ndërkaq, nga muaji janar deri më 15 nëntor të këtij viti, 56 mjekë specialistë të profileve të ndryshme, kanë shkëputur kontratat me SHSKUK-në”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Në këto të dhëna ky institucion ka lënë të nënkuptohet që nuk janë të përfshirë edhe mjekët e pensionuar ndër këta 3 vjet. Sipas SHSKUK-së, gjatë këtyre viteve kanë rekrutuar 128 mjekë specialistë.

Trendi i ikjeve ka përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Ky institucion ka rreth 100 zyrtarë në administratë. Në vitin 2020 punën e kanë lëshuar 2 nga ta, e sivjet këtë e kanë bërë 11 zyrtarë.

“Nga janari i vitit 2022 deri më tani, e kanë lëshuar punën 3 udhëheqës të divizioneve, 7 zyrtarë profesionalë dhe 1 zyrtar ka dalë në pension”, thuhet në përgjigje.

Gjatë tre vjetëve, në këtë Ministri nuk është punësuar asnjë zyrtar.

Vitin e fundit në Kosovë është rritur numri i spitaleve private me veprimtari të përgjithshme. Paralelisht kësaj, një pjesë e mjekëve ka braktisur QKUK-në dhe është rekrutuar në këto spitale.

Edhe numri i mantelbardhëve që e ka lëshuar Kosovën për të punuar në Gjermani është i madh, ndërkaq pjesa më e madhe e tyre janë mjekë të rinj që nuk kanë punuar në SHSKUK.