Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në 20-vjetorin e rënies zbulohet pllaka përkujtimore në odën e Dr. Lec Gradicës

Në Gradicë të Drenasit është mbajtur tubim përkujtimor në 20 vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Dr. Lec Gradica. Me këtë rast në shtëpinë e tij është zbuluar pllaka përkujtimore, e po ashtu familjes së doktor Lec Gradicës iu dorëzua medalja Heroi i Kosovës, e akorduar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në këtë tubim përkujtimor mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në patronatin e të cilit ishte i gjithë ky organizim. I ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, familjarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe shumë qytetarë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Leci ishte mjeku i plagëve të lirisë. “Doktor Lec Gradica ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes për liri, duke u bërë kështu mjeku i plagëve të lirisë dhe dëshmor i saj”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Në emër të presidentit Hashim Thaçi, foli këshilltari i tij, Ismajl Syla, i cili në emër të tij familjes së doktorit ia dorëzoi Urdhrin Heroi i Kosovës.

Vajza e Doktor Lec Gradicës, Lavdije Leci ka përshëndetur të pranishmit dhe ka thënë se ndihet krenare kur e kujton se sa jetë ka shpëtuar babai i saj.