Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në 18 vjetorin e çlirimit, rruga e Kosovës drejt BE-së e vështirë

Pas një lufte dyvjeçare ndërmjet forcave policore ushtarake serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vrasjes së mijëra shqiptarëve, dëbimit të më shumë se 1 milion të tjerëve, më 12 qershor 1999 në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s. 

Tërheqja e trupave serbe nga Kosova më 10 qershor bëri që NATO-ja t’i japë fund fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë, që patën zgjatur 78 ditë, raporton KTV. 

Me hyrjen e trupave të NATO-së në qytete të ndryshme, u kthye edhe shpresa te njerëzit. 

Në qytete më të vogla, si Malisheva, ku kishte rezistuar deri në fund UÇK-ja, gëzimi ishte i papërshkrueshëm. 

Pos masakrave, përdhunimeve dhe shumë vrasjeve, Kosova ishte e shkatërruar edhe në aspektin ekonomik e social. 

Numri i të vrarëve kalonte 12 mijë, 5 mijë të tjerë ishte numri i të zhdukurve, derisa më shumë se 1 milion ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishte miratuar Rezoluta 1244, e cila formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e Jugosllavisë, por edhe nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara. 

Një ditë më pas, Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri në kryeqytet, ndërsa trupat serbe u tërhoqën plotësisht.

Kosova u administrua nga Misioni i Kombeve të Bashkuara deri në shkurt të vitit 2008, kur pas një maratone të gjatë bisedimesh, i dërguari i OKB-së, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, prezantoi Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej pavarësia e mbikëqyrur me të drejta të zgjeruara për pakicat, sidomos për serbët.

Pas këtij qershori, shteti i Kosovës nisi rrugën e konsolidimit, me shumë sfida e vështirësi deri më 17 shkurt të vitit 2008, kur edhe e shpalli Pavarësinë. 

Por edhe 9 vjet pas pavarësimit, e 18 nga çlirimi, qytetarët e shtetit më të ri evropian, që gjeografikisht ndodhet në mesin e Evropës, lëvizjen e lirë mund ta shfrytëzojnë vetëm në shtetet e rajonit dhe në Turqi, por jo edhe shtetet e BE-së. 

Lufta kundër korrupsionit mbetet ende pa rezultat, ndërsa kufijtë e Kosovës janë ende të pavijëzuar me Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. 

Kosova dështoi të krijojë edhe ushtrinë e saj, pavarësisht përpjekjeve që nga 2014-ta, kjo po i pamundësohet për shkak të kushtetutës, e cila kërkon votën e 2 të 3-ve të minoriteteve për një gjë të tillë. 

Veriu i Kosovës menaxhohet nga minoriteti serb dhe kjo ka qenë dhe mbetet pengesë për shtrirjen e pushtetit dhe ushtrimin e integritetit territorial të qeverisë në tërë territorin e vendit.

18 vjet pas, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e 6-ta parlamentare dhe rrjedhimisht të 3-ta të parakohshme, ndërkaq sfida kryesore pritet të jetë krijimi i qeverisë së re, pasi asnjëri nga subjektet politike nuk arriti t’i marrë më shumë se 51 për qind të votave.   

Qeveria e re ballafaqimin e parë do ta ketë Gjykatën Speciale, puna e se cilës pritet të nisë gjatë këtij viti.

Artikuj të ngjashëm