Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje nuk janë në planet afatshkurtra të partive politike në vend. Ndonëse rreth një muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje tentoi që disa prej tyre t’i kryejë në procedurë të përshpejtuar dhe pas dështimit për ta bërë një gjë të tillë, tani është duke u vlerësuar se për ndryshime nuk duhet ngutur. PDK-ja dhe LDK-ja thonë se ato duhet të bëhen, kur në vend të arrihet konsensusi politik e të tejkalohet situata me pandeminë.
Ligji, të cilin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje tentuan ta ndryshojnë brenda një dite, madje edhe para zgjedhjes së kreut të shtetit nuk është më prioritet i kësaj partie.
Rreth një muaj pas nisjes së procedurave për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, Vetëvendosje nuk ka treguar nëse do ta iniciojë sërish këtë çështje në Kuvend, si dhe kur do ta bëjë një gjë të tillë.
Partitë që e kundërshtuan ndryshimin e këtij ligji kur u iniciua, thonë se për një gjë të tillë duhet fillimisht të arrihet një konsensus politik.
Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk është koha e duhur që të nisen procedurat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.
“Natyrisht që duhet të ketë trajtim të dinjitetshëm dhe gjithëpërfshirës, por në kohën kur vendi e ka luksin që t`i qaset më seriozisht plotësim-ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje kur vaksina dhe çështjet emergjente i kemi çështje të mbyllura, pastaj unë mendoj që do të piqen kushtet që të ulemi bashkërisht dhe ta shohim si do t`i qasemi ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje”, ka thënë Deliu.
Kurse nga LDK-ja thonë se është koha për ndryshimet e nevojshme, por që një gjë e tillë nuk duhet të bëhet me nguti.
“Kjo nuk është punë që bëhet brenda natës siç përpiqej që ta bënte Vetëvendosje. Kjo është punë që duhet të bëhet ngadalë, përpjekje ka pasur edhe më herët. Duhet të bëhen tash dhe të kemi një ligj zgjedhor që krijon institucione përfaqësuese dhe natyrisht ka parasysh dhe interesat e të gjithëve”, është shprehur Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së kësaj partie.
KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje tash e disa ditë, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.
Me t’u konstituuar komisionet parlamentare, Vetëvendosje inicioi procedurat për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, ku ndër të tjerash do të mundësohej votimi i diasporës në ambasada dhe në konsullatat e shteteve ku jetojnë.
Por, pas dështimit që një gjë e tillë të bëhet në procedurë të përshpejtuar e pas kushtëzimit të LDK-së se nuk do të merrnin pjesë në votimin e presidentit, Vetëvendosje u detyrua të tërhiqej nga nisma e saj.