Ishte muaji janar kur ekipi e organizatës “Ndihmo edhe Ti”, vizitoi familjet e komunitetit ashkali, Qerim dhe Fitim Mziu nga Lipjani.
Sipas kësaj organizate, kushtet në të cilat jetonin ishin jashtë çdo standardi për jetë.
“Fitimi jetonte vetë i pesti në një kontejner prej 20 metra katror, kurse Qerimi me familjen e tij në një shtëpi pothuajse të rrënuar. Falë organizatës “Ndihmo edhe Ti”, dhe njerëzve vullnetmirë, këto dy familje përfundimisht e kanë të zgjidhur problemin e banimit, pasi janë bërë më shtëpi të reja. Sot këtyre dy familjeve iu janë dorëzuar çelësat e shtëpive. Organizata “Ndihmo edhe TI” falënderon zyrtarët komunalë të Lipjanit, përfaqësuesin e komunitetit të ashkalive, Liman Ramadanin, dhe deputetin Veton Berisha, për punën e palodhshme që kanë bërë. Po ashtu, i jemi mirënjohës Komunës së Lipjanit dhe organizatës “Voice of Roma” për participimin që kanë bërë në punët rreth ndërtimit të këtyre shtëpive”, thuhet në komunikatë.
Nga shtatori i vitit të kaluar organizata “Ndihmo edhe Ti” ka arritur të ndërtojë 8 shtëpi për familjet në nevojë.