“Politika të mos fusë duart në mesin e studentëve”, ishte kërkesa e Parlamentit studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët protestuan para rektoratit.
Ata shprehën kërkesat për përmirësimin e kushteve për studentët dhe mundësimin e lirisë për përfaqësimin e interesave të përgjithshme të studentëve, raporton KTV.
Sipas tyre, Prof. Beqir Sadikaj është i ashtuquajturi “BABA i Këshillit Drejtues” dhe po infiltron politikën brenda UP-së. I kontaktuar nga KTV-ja, vetë Sadikaj ka thënë se ai është vetëm anëtar i Këshillit drejtues të UP-së dhe asgjë më shumë.
Studentët i ka takuar Prorektorja, Myrvete Badivuku.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani, tha se kërkesat e tyre janë transmetuar brenda rektoratit.
Por, ka studentë që janë deputetë të parlamentit studentor, e që thonë se vetë kryetari Arben Elshani, është i ndikuar politikisht dhe se nuk i ka votat e mjaftueshme për të marrë vendime.
Edhe
Parlamenti Studentor me ankesa se politika po ndërhyn në punën e tyre
Ndërkohë, është deklaruar me shkrim edhe njëri nga studentët Patriot Mehmeti, që ka votuar për Arben Elshanin e që më pas, është penduar, sepse thotë të ketë qenë i shantazhuar dhe kërkon mocion votëbesimi ndaj Elshanit.
Studentët thonë se nuk do të lejojnë përçarje dhe se do të mbrojnë interesat studentore.