Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndalohet bartja dhe përdorimi i celularëve për nxënës e mësimdhënës

Autoritetet komunale të Mamushës kanë marrë vendimin që të gjithë nxënësve të nivelit fillor dhe të mesëm t’u ndalohet bartja e telefonave celularë në shkolla.

Sipas tyre, një vendim i tillë është marrë në kuadër të zbatimit të masave për rritjen e disiplinës në shkolla dhe cilësisë në arsim, shkruan sot Koha Ditore.

Ata kanë paralajmëruar se përgjegjësit e shkollave do t’i marrin telefonat celularë të atyre nxënësve që nuk e respektojnë këtë rregull. Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Arsimit ka kërkuar edhe nga mësimdhënësit që të mos i përdorin telefonat e tyre celularë në orën e mësimit, meqë në të kundërtën mund të përballen me masa ndëshkuese.

Drejtori i Arsimit i Mamushës, Cafer Morina, ka njoftuar ditë më parë drejtorin e shkollës fillore të mesme të ulët “Anadolu” dhe atë të shkollës së mesme të lartë “Ataturk” se nxënësve u ndalohet bartja e telefonave derisa mësimdhënësve përdorimi i tyre në orën mësimore. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)