Në deklaratën e miratuar nga liderët e vendeve të NATO-s thuhet se liderët “mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera me qëllim të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u bëjnë thirrje palëve që të shfrytëzojnë rastin dhe të angazhohen me besim të mirë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”
Në samitin e parë të NATO-s pas më shumë se dy vjetësh, me praninë fizike të liderëve u rikonfirmua përkushtimi i të gjitha 30 shteteve anëtare për Aleancën dhe për prioritetet me të cilat NATO-ja do të përballet në periudhën e ardhshme 10-vjeçare. Me rëndësi të veçantë ishte rikonfirmimi i përkushtimit amerikan nga ana e presidentit të ri, Joseph Biden, i cili edhe një herë përsëriti se mbështet fuqishëm parimin e Artikullit 5 të Marrëveshjes së Atlantikut të Veriut për mbrojtje kolektive, sipas të cilit, sulmi ndaj një shteti anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithë aleatëve.
Në fund, në deklaratën në të cilën përfshihen shumë çështje, nga raportet e prishura me Rusinë, kërcënimi nga Kina, terrorizmi, Afganistani e deri te ndryshimet klimatike si sfida, përmendet edhe rajoni i Ballkanit si një “rajon strategjik për NATO-n” dhe misioni i KFOR-it në Kosovë si dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket misionit të KFOR-it, NATO-ja, përmes deklaratës së liderëve, ka përsëritur se asnjë ndryshim në praninë e kësaj force nuk do të merret me nxitim dhe në bazë të afateve kohore, por vetëm duke pasur parasysh situatën.
“Mbetemi të përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe përmes KFOR-it, të udhëhequr nga NATO i cili është kontribut për një ambient të qetë dhe të sigurt dhe stabilitet më të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur edhe për përpjekjet e ndërtimit të kapaciteteve me organizatat e sigurisë së Kosovës. Çfarëdo ndryshimi në përbërjen e KFOR-it në Kosovë do të bazohet në kushtet e jo në kalendar kohor”, thuhet në pjesën e deklaratës për Kosovën.
Është interesant se në pjesën ku mbështetet dialogu, përmenden edhe “përpjekjet e tjera” që kanë për qëllim normalizimin e raporteve mes, siç thuhet edhe në këtë deklaratë, “Beogradit dhe Prishtinës”.
“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE dhe përpjekjet e tjera që kanë për qëllim normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u bëjmë thirrje palëve që të shfrytëzojnë rastin dhe të angazhohen me besim të mirë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhet në këtë deklaratë.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç është nënvizuar me historinë tonë të gjatë të bashkëpunimit dhe operacioneve. NATO mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj aspiratave euro-atlantike të vendeve të rajonit. Ne do të rrisim përpjekjet tona në rajon dhe të zgjerojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, në mënyrë që të mbështesim reformat, promovojmë paqen dhe sigurinë rajonale dhe t’i kundërvihemi ndikimit qëllimkeq të aktorëve të jashtëm”, thuhet në këtë deklaratë, në të cilën shtohet se për bashkëpunimin rajonal është e rëndësishme që të ketë përparim në vlerat demokratike, sundimin e ligjit, reformat e brendshme dhe raportet e mira fqinjësore.
Përshëndetet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi ky ishte samiti i parë i Aleancës në të cilin Maqedonia mori pjesë si anëtare formale e saj. Po ashtu u nënvizua se NATO-ja “vlerëson edhe partneritetin me Serbinë”, duke e quajtur këtë partneritet si diçka që është në dobi të NATO-s, Serbisë dhe tërë rajonit.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, presidenti amerikan, Biden, do të ketë sot takim me liderët e institucioneve të BE-së në një samit të përbashkët BE-SHBA.