Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka diskutuar të mërkurën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me sulmet kibernetike që po i atribuohen Iranit.
Stoltenberg ka njoftuar se gjatë kësaj bisede telefonike me Ramën, ia ka bërë të qartë atij se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përballimin e kësaj situate.
“Biseduam me kryeministrin Edi Rama, mbi sulmet kibernetike kundër aleatit tonë, Shqipërisë, të cilat shumë aleatë ia atribuojnë Iranit. NATO-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe qëndron në solidaritet të plotë me Shqipërinë”, ka shkruar ai në Twitter.
Spoke with PM @ediramaal on the cyberattacks against our Ally #Albania, which many Allies have attributed to Iran. #NATO will continue to provide support, and stands in full solidarity with Albania.
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) September 14, 2022
Portali shtetëror e-Albania ishte në shënjestrën e sulmeve kibernetike në mes të korrikut dhe nuk funksionoi për disa ditë.
Qeveria e Shqipërisë njoftoi se bëhej fjalë për një sulm kibernetik të sinkronizuar nga jashtë.
Edhe
NATO dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë
Njoftimin se prapa sulmit kibernetik qëndronte Qeveria iraniane e bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fillim të shtatorit, gjë që çoi në shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike.
Shqipëria e raportoi sulmin e fundit kibernetik disa ditë më parë, kur Ministria e Brendshme deklaroi se një pjesë e sistemit kompjuterik e policisë kufitare është goditur nga një sulm që u bë nga i njëjti burim iranian.
Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë i ka dënuar edhe SHBA-ja. Ajo ka paralajmëruar masa ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të saj.