Arbëri

Nagavci: Fëmijëve po iu mohohet e drejta për arsimim, greva e politizuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se fëmijëve po iu mohohet e drejta për t’u arsimuar për shkak të grevës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e sipas saj, kjo do të ndikojë tek e ardhmja e nxënësve.

Nagavci deklaroi në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, se fëmijët që nuk e vijojnë me rregull procesin e mësimit, do të përballen në të ardhmen me probleme, si me të ardhura më të pakta ashtu edhe me më shumë vështirësi për të gjetur vende pune.

“Studimet e kanë vënë në pah se demet që iu ndodhin fëmijëve janë shumë të gjata. Studimet kanë vërtetuar se fëmijët që s’kanë vijuar mësimin për një kohë të gjatë, edhe gjatë viteve të mëtejshme, kanë realizuar më pak të ardhura, pagë më të vogël, e kështu me radhë”, deklaroi Nagavci.

Sipas ministres së Arsimit, greva e SBASHK-ut mund të ketë qëllime politike, e kjo qasje sipas saj, nuk është e re.

“Është një mënyrë që ata janë mësuar tashmë, e s’mund të mos besoj që s’ka ndikime për qëllime të tjera. Si qëllimet politike. Kur kishte kërcënime për grevë në Qeverinë Haradnaj, greva nuk u mbajt vetëm pse Haradinaj premtoi dhe dërgoi projektligjin për njohjen e përvojës për vitet e 80-a. Nga kjo është parë që kanë lidhje politike”, tha ajo.

Nagavci theksoi se Qeveria Kurti ka synim dhe prioritet zhvillimin e arsimit, e kjo sipas saj, nuk arrihet nëpërmjet bllokimit së procesit mësimor.

“Në ditën kur presidentja osmani tentoi të arrinte një formë të ndërmjetësimit, me të dalë jashtë nga takimi, Jasharaj tha se greva vazhdon. E njëjta ndodhi edhe në takimin e djeshëm, ku pas takimit me Kurtin u deklaruan se greva vazhdon. Kemi punuar shumë. Buxheti sivjet është 12 për qind më i madh për arsim. Jemi të vetëdijshëm që nëse duam ta zhvillojmë shoqërinë, duhet ta kemi në synim arsimin. S’është e lehtë të shohim se mbi 300 mijë fëmijë s’po e mbajnë procesin mësimor”, shtoi tutje.

Nagavci shtoi se ka mësimdhënës nëpër komuna të Kosovës që po e mbajnë procesin mësimor me nxënës, derisa iu bëri thirrje edhe mësimdhënësve të tjerë ta nisin vitin shkollor sa më parë.