Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se janë shtrenjtuar çmimet për shërbimet mjekësore në Komunën e Gjakovës dhe këtë veprim e ka quajtur të turpshëm.
Sipas saj, Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjakovës, për të njëjtat shërbime që ofrohen me rastin e vizitave mjekësore, nga bashkatdhetarët kërkon më shumë se dyfishin e çmimit.
“Nga 1€ sa ka qenë pagesa për vizitën mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjakovës, tani është 2€, ndërsa për bashkatdhetarët çmimi që duhet të paguajnë për të njëjtën vizitë është 5€”, tha Nagavci, transmeton ksp.
Nagavci shtoi se diaspora sjell më shumë se 800 milionë euro në vit remitenca dhe se institucionet tona në vend se të përgatiten për t'i pritur si duhet, u rrisin çmimet edhe për vizitat mjekësore.
“Bashkatdhetarët tanë, ndonëse kanë mundësi të bëjnë pushimet në vende të ndryshme të botës, zgjedhin Kosovën dhe kthehen në vendlindjet e tyre. Mërgata jonë vazhdon të jetë burim financiar për familjet dhe ekonominë kosovare”, u shpreh ajo.