Arbëri

Mustafa: Sektori i energjisë faktor kyç i zhvillimit ekonomik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Forumin e Dytë të Nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeto Koha.net.

Në këtë forum ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ministri Blerand Stavileci, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.

Mustafa shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë nga partnerët ndërkombëtarë, mbështetje kjo që ka ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në fokusimin në sektorët kyç të zhvillimit, siç është edhe sektori i energjisë.

Më tej, ai theksoi nevojën që ka Kosova për zhvillimin e burimeve të energjisë, por edhe fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si prioritet i parë i Qeverisë.

Mustafa, po ashtu tha se do të punohet edhe në shfrytëzimin e burimeve tjera alternative, në mënyrë që të ketë energji të ripërtëritshme dhe të sigurohet efiçienca e energjisë elektrike, respektimi i plotë i kushteve ambientale, për të cilat duhet të sigurohen kushte të veçanta.

Një falënderim të posaçëm për bashkëpunimin e deritanishëm, Mustafa ia ka adresuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorit Delawie, përfaqësuesve të Bankës Botërore, të Bashkimit Evropian, partnerëve gjermanë për përkrahjen në fushën e energjisë, duke shprehur interesimin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen në implementimin e strategjisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se e gjitha që është bërë në kuadër të një vizioni strategjik për të ardhmen e sektorit është përfshirë në pesë objektiva themelore, që kanë vlerë prej rreth 3 miliardë euro, investime që priten në të ardhmen të realizohen në sektorin e energjisë.

Më tej, ministri Stavileci theksoi se lajm shumë pozitiv për sektorin e energjisë në dy vitet e fundit është edhe miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energjinë, që hapë rrugën për liberalizimin e tregut dhe të çmimeve, e poashtu krijon mundësinë e një tregu konkurrues të energjisë elektrike, synim ky jo vetëm i Kosovës, por i të gjitha shteteve të regjionit.

Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, e ka quajtur shumë të rëndësishëm këtë diskutim, meqenëse viti 2017 për Kosovën është shumë i rëndësishëm për këtë sektor.

“Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent”, tha ambasadori Delawie.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, theksoi rëndësinë që ka Strategjia e Energjisë, si një hapësirë e mirë për donatorët për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e saj. Për të, është e rëndësishme që të bëhet integrimi i tregut regjional të energjisë.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se ky është fillimi i një reforme të rëndësishme dhe të obligueshme, për të arritur standardet e BE-së.

Faruk Serdareviç, përfaqësues i projektit mbështetës i USAID-it, “REPOWER”, për sektorin e energjisë në Kosovë, paraqiti një ekspoze mbi zhvillimet, arritjet si dhe sfidat për të ardhmen në sektorin e energjisë.