Arbëri

Mustafa: LDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal, për të sanksionuar ata që e vënë në pikëpyetje shtetin

Foto: Koha

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen se ekipi për dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës.

“Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit. Ndërsa, sipas tij, Platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion.

“As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008. Absurdi qëndron në faktin se Patforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush”, ka thënë Mustafa, në një prononcim në Facebook, përcjell Koha.net.

Mustafa, që ka qenë edhe kryeministër i vendit, ka thënë se dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.

“LDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë”, ka thënë Mustafa.


Dokument absurd ligjin dhe platformën për dialog e ka quajtur edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai në Facebook ka shkruar se ligji dhe platformë për dialog është vetëm Kushtetuta.

“Ligji për dialogun dhe platforma për dialog, që do të diskutohen nesër në Kuvend, janë dokumente absurde pa bazë kushtetuese. Ta kenë të qartë të gjithë se ligj dhe platformë për dialog është vetëm KUSHTETUTA. Ndërkaq, ekip i dialogut është QEVERIA legjitime”, ka shkruar ai.