Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka ftuar degët e partisë që drejton që të bëhen gati për zgjedhjet e parakohshme.
Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Mustafa ka thënë se Kosova nuk është mirë që po qeveriset nga një qeveri e pakicës që i ka shkaktuar shumë dëme shtetit që prej ardhjes së saj.
Mustafa ka thënë se partia e tij ka konstatuar që qeveria e prirë nga Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë përgjegjës për dëmet që i kanë bërë Kosovës me idenë për shkëmbimin e territoreve që ka çuar në ngecjen e njohjeve të reja dhe tërheqjen e disa prej shteteve që tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës.
“Diskutuam për zgjedhjet qendrore dhe platformën e LDK-së. Biseduam për rezultatet e të bërit opozitë në Kuvend dhe në komuna. Konstatuam se Kosova meriton të qeveriset nga një qeveri normale. Qeveria dhe presidenti janë përgjegjës për dëmet që i janë bërë me idetë për shkëmbimin e territoreve dhe kanë ngecur njohjet dhe kanë evidenca se disa vende kanë filluar t’i tërheqin njohjet e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa ka thënë se fundi i tij duhet të rezultojë me njohjen e pavarësisë dhe garancionin e institucioneve ndërkombëtare se Kosova të anëtarësohet në OKB dhe në BE.
“Marrëveshja që do të arrihej duhej të aprovohej nga Komisioni Evropian dhe të aporovhej nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Për një epilog të suksesshëm duhet një angazhim i SHBA-ve dhe i BE-së. Jo vetëm në procesin e dialogimit por edhe në implementimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë Mustafa që ka shtuar se partia e tij e kundërshton dialogun për shkëmbim territoresh dhe konsideron që çështjet kanë përfunduar me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
I pyetur për vendimin e qeverisë që taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës të jetë 100 për qind, Mustafa ka thënë se Serbia e meriton të ketë një taksë të tillë për shkak të dëmeve që ia ka bërë Kosovës.
Edhe
LDK-ja e bindur se i ka votat për formim të qeverisë së re
“Është vendim populist. Është vendim që është përkrahur nga populli për shkak të veprimeve që ka bërë Serbia në dëm të Kosovës. Sa i përket Serbisë ajo e ka merituar një vendim të tillë. Por duhet të jenë vendime të matura mirë dhe të jenë vendime të bashkërenditura me marrëveshjet dhe kontratat që ka Kosova me BE-në”, ka thënë Mustafa.
Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se partia e tij është duke bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka filluar bashkëpunimin edhe me PSD-në për të siguruar votat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.
“Po bashkëpunojmë me Vetëvendosjen dhe me PSD-në që të marrim përkrahjen e tyre sepse po duket se ata po votojnë iniciativat e qeverisë. Do të bashkëpunojmë edhe me deputetët e pozitës që t’i bindim se Kosova nuk është mirë të qeveriset me qeveri të pakicës. Do të vazhdojmë edhe me mocionin e mosbesimit dhe me një tryezë të gjejmë një gjuhë të përbashkët për zgjedhjet e reja dhe të shpërbëhet Kuvendi. Ne duhet t’i kemi votat, duhet të jemi të sigurt që të votojnë 61 deputetë”, ka thënë veç të tjerash Mustafa.
-
Mustafa: Me 82 vota e ndërrojmë edhe Kushtetutën, LDK-ja është për një Qeveri të re
-
Mustafa thotë se do t’i tejkalojnë dallimet me VV-në, PDK-së nuk ia japin “shansin e dytë”
-
Tjetër intervistë e Mustafës: Do të qeverisim me ata që s’i kanë bërë dëm Kosovës, me gjithë dallimet programore
-
Zgjedhje të reja, opsioni i vetëm për LDK-në