Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se është PDK-ja ajo që po bëjnë të pamundur zhvillim më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.
“Është keq që po dështojnë gjërat në vend, do të ishte mirë të përgatiteshin me kohë edhe PDK, e në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo deri tani të përfundonte”, ka thënë Mustafa duke shtuar se ata po zvarritin këto obligime.
“PAN-i deri tash kanë krijuar bindjen tek populli që i kanë siguruar votat për themelimin e institucioneve, por po shihen që si kanë, po duan të zvarrisin formimin e institucioneve”, ka shtuar ai.
Për sa i përket takimit konsultues i cili do të mbahet ditën e mërkurë, Mustafa thotë takime të tilla dikur duhet të përfundojnë. Ai thotë se duhet të thirret sa më shpejtë vazhdimi i seancës konstituive.
Për këto zhvillime, Mustafa vazhdimisht akuzon PDK-në, e në një rast e quan amater Kadri Veselin.
“Fajin themelor e ka koalicioni i PDK-së. Ata duhet të dalin me një kandidat për kryetar të Kuvendit. Kanë mundësi të shumta, s’duhet të abuzojnë kështu pasi kuvendi duhet themeluar”, duke shtuar se këtë situatë të keqe e ka shkaktuar PDK-ja, e madje duke i akuzuar se vetë ata e kanë bërë në mënyrë të fshehtë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Kadri Veselin, Mustafa e quajti amater, duke thënë se një njeri i tillë nuk mund ta krijojë asnjëherë Qeverinë.
“As s’u bo kryeministër as s’do ta drejtojë qeverinë, ai është amater, nuk ka lidhje me lidership, si ai nuk veprojnë liderët”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se nëse Veseli do të ishte lider i mirë për vendin, qysh sot do të ftonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në që ta formonin Qeverinë.
“Studentët e mi kur bijnë prej provimeve nuk thonë u sakrifikova që rash, por thonë rash se nuk dita”, shtoi Mustafa duke e krahasuar Veselin, duke thënë se njëherë ra se nuk mund të qeverisë vendin.
“Postin ia fali Haradinajt pasi e dinte që vetë nuk mund të fitojë, s’ka më pse sakrifikohet, duhet të tërhiqet pasi nuk kanë vota”, shtoi ai.
Mustafa thotë se vendi po humb shumë me “sakrifikime” të tilla, por sakrifica e vetme është tek qytetarët që po humbin duke mos shkuar vendi përpara.
Mustafa thotë se edhe Kushtetuta thotë se ai që del i pari në zgjedhje ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, në këtë rast koalicioni PAN, por se sipas tij, përgjegjësia nuk i takon asnjë partie tjetër, por veç koalicionit të PDK-së.
“Nuk e shohim të arsyeshme që Kadri Veseli të votohet për kryetar kuvendi, por u themi që askush s’duhet ta votojë atë”, ka shtuar ai.
“Kam pas besim të madh në PDK-në, ata i shkelën të gjitha marrëveshjet, prandaj ne nuk punojmë më me ta”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se duhet t’i largojnë inatet e t’i krijojnë institucionet.