Sadik Heta nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, deklaroi se deri më tani vetëm një rast është regjistruar me murtajën afrikane të derrave, derisa shtoi se janë marrë të gjitha masat për të mos u përhapur edhe më tej.
Ai tha për emisionin “SOT” në KTV të enjten se rasti i parë është regjistruar më 13 korrik në një fermë derrash në Kllokot, ku menjëherë është intervenuar me analiza laboratorike dhe eliminim të derrave.
“Rasti ka ndodhur në komunën e Kllokotit, është fermë familjare që i ka pasur 22 krerë derra. Me të marrë informatën kemi marrë masat tona dhe kemi dalë në terren. Kemi bërë izolimin e fermës dhe jemi futur në vatrën e infektuar. Dyshimi ka qenë për murtajën afrikane të derrit. Ishin shenja tipike të kësaj murtaje, pikësime të lëkurës, ethe, e ngordhje. Atë ditë hasem 5 derra të ngordhur dhe 2 nga ta i kemi marrë për analiza. Kemi marrë gjak edhe nga derrat e gjallë. Laboratori si pjesë profesionale, ka dalë me rezultate të dielën që në këtë fermë ka murtajë afrikane të derrit. Më të marrë konfirmim, kemi asgjësuar këto kafshe dhe kemi bërë groposjen e tyre. Kjo ka ndodhur edhe në bashkëpunim me komunën”, deklaroi Heta.
Sipas zyrtarit të AUV-it, fermë aktualisht është e izoluar dhe po zbatohen të gjitha masat, edhe në bashkëpunim me Shtabin e formuar nga Ministria e Bujqësië.
Heta theksoi se murtaja afrikane e derrave është sëmundje që shpërndahet shumë dhe shpejt mes derrave, por nuk i prek edhe njerëzit. Përhapja e virusit, sipas tij bëhet edhe te derrat e egër për shkak se jetojnë në ambiente të hapura.
Edhe
Kosova ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia
“Ky virus nuk bartet nga kafshët të njeriu, bartet nga kafsha në kafshë. Është sëmundje që ka karakter ekonomik. Aktualisht s’kemi prezencë të këtij virusi, situata është e qetë te fermat familjare. Virusi është izoluar. Kalon nga derrat e egër lehtë dhe mund të shpërndajnë sëmundjen shumë shpejt. Jemi në kontakt edhe me komuna të tjera që kur kemi ngordhje të derrave të merren masat menjëherë. Kjo sëmundje qarkullon tash e një kohë në rajon. Ka prezencë edhe në Serbi, ende s’e dimë se nga ka ardhur. Qarkullon edhe me lëvizje të njerëzve...”, tha ai.
Agjencia bëri të ditur që mishi i derrit i infektuar me këtë virus nuk mund të konsumohet, por siç u tha, mishi i sigurt është ai që importohet nga vendet e Bashkimit Evropian.